Përfundojnë hetimet për protestuesit e Astirit, akuza për Balliun
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për protestuesit e Astirit. Akuza ka dërguar dosjen në gjyq për ish-deputetin Klevis Balliu, avokatin Artan Manushaqe si dhe për 8 banorë të tjerë që kanë marrë pjesë në protestën e 25 shtatorit të vitit të shkuar.
Sipas pretencës së prokurorisë, rreth orës 18:35 minuta banorët e zonës janë tubuar pa marrë lejen e organeve kompetente sipas dispozitave ligjore, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, për rreth 60 minuta.
Si provë për akuzën janë deklarimet e punonjësve të policisë, Ibrahim Bilali, Durim Zyfi, Shpëtim Rrahmani dhe Florian Zeneli, të cilët ishin angazhuar në ruajtjen e rendit. Në gjykatë janë dorëzuar dhe pamjet filmike. Do të jetë gjykata që do vlerësojë nëse akuzat ndaj banorëve të unazës dhe ish-deputetit qëndrojnë.
Për vepra për të cilën ata akuzohet dënimi parashikohet nga gjobë, deri në 3 vite heqje lirie. Tashmë në Unazë gjithashtu ka nisur puna për shembjen e objekteve që preken nga projekti. Në lotin e parë dhe të dytë deri më tani janë prishur 71 objekte.