Përfundon aksioni në burgjet e Lushnjës dhe Elbasanit, sekuestrohen sende të ndaluara
Ka përfunduar një operacion i gjerë kontrolli në institucionet e vuajtjes së dënimit në Lushnjë dhe Elbasan, i zhvilluar në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në ambientet e brendshme të burgjeve.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë ushtruar në mënyrë të detajuar në qelitë e të burgosurve, në regjimet e brendshme, në ambientet e përbashkëta dhe në sektorët e sigurisë. Qëllimi i këtij operacioni ka qenë evidentimi i sendeve të paligjshme dhe rritja e kontrollit institucional brenda këtyre strukturave.
Në IEVP Elbasan, aksioni është realizuar në bashkëpunim me drejtuesin e ri të institucionit, në kuadër të organizimit të ri dhe forcimit të masave të sigurisë. Ndërkohë, në IEVP Lushnjë janë angazhuar forca të shumta të sigurisë dhe personel administrativ për kryerjen e kontrolleve të imtësishme në çdo sektor.
Gjatë kontrollit në burgun e Lushnjës janë konstatuar dhe sekuestruar disa sende të tepërta, si dhe aksesorë që lidhen me pajisje komunikimi, të cilat nuk lejohen në ambientet e brendshme të institucionit. Autoritetet theksojnë se çdo material që dyshohet se mund të përbëjë vepër penale do t’i referohet strukturave përkatëse hetimore dhe organeve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e strukturave qendrore të sistemit të burgjeve, me synim rritjen e standardeve të sigurisë dhe parandalimin e çdo aktiviteti të paligjshëm brenda institucioneve penitenciare. Autoritetet vijojnë të theksojnë se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjithë vendin.
KOHA JONË SONDAZH

