Përgatisnin mina me telekomandë, arrestohen 2 persona në Durrës. Ja sa para përfitonin nga shitja e tyre

Arrestohen 2 persona në Durrës të cilët dyshohen se përgatisnin dhe trafikonin mina me telekomandë.

Në pranga kanë rënë 46-vjeçari Agron Gurakuqi dhe 35-vjeçari Bledian Gresa.

Të arrestuarit kishin përgatitur 4 mina të telekomanduara me qëllim shitjen e tyre kundrejt fitimit deri në 3000 euro për një copë.

Minat janë sekuestruar nga policia përpara se ata ti shisnin ndërsa të arrestuarit po pyeten në lidhje me porositë që kanë marrë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Distanca”.

Operacioni i zhvilluar strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas me precedent të mëparshëm penal, të cilët do i shisnin minat kundrejt fitimit deri në 3000 euro për një copë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të minave me telekomandë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se 2 shtetas po tentonin të trafikonin mina me shpërthim në distancë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Distanca”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. G., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Ndërtim pa leje”;

B. G., 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje “.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. G., shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë, të cilat këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do i shisnin me çmimin 2000 deri në 3000 euro.

Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit B. G., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për evidentimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP