Përgjaken rrugët, në shtator humbën jetën 24 qytetarë. Eksperti tregon shkaqet
24 qytetarë humbën jetën si pasojë e përplasjes së mjeteve gjatë muajit shtator, shifra të cilat tregojnë rritje me shtatorin e vitit 2019. Sipas të dhënave zyrtare, muajin e kaluar pati dhe rritje të numrit të aksidenteve nga 122 që ishin vitin e kaluar në 138 për këtë vit.
Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, thotë se agresiviteti i drejtuesve të mjeteve lidhet me disa faktorë, siç është trafiku i rënduar, apo mungesa e vendeve të parkingut, një fenomen i gjerë në kryeqytet.
”Me korsitë e reja të biçikletave është rritur shumë vështirësia e parkimit. Rritja e qarkullimit brenda Tiranës ndikon direkt në këtë pjesë dhe mendoj se nga ana e Bashkisë ndoshta duhet të rritet pak përgjegjshmëria”,-thotë Hasho.
Gjatë periudhës së verës por dhe të shtatorit, është vënë re një rritje e aksidenteve ku përfshihen biçikletat dhe qytetarët që përdorin mjete elektrike. Drejtuesit më të lartë të policisë dhe drejtorive të rretheve u thirrën këtë të martë në Ministrinë e Brendshme për të raportuar për situatën.