Përgjaket dita e Rinisë në Shqipëri, policia vret 25-vjeçarin
Në orën 01:45 të mëngjesit të së martës, në ditën e Rinisë në Shqipëri, efektivët e repartit ”Shqiponja” vranë 25-vjeçarin Klodjan Rasha në Tiranë. I riu nuk i është bindur urdhrit të policit për të ndaluar, dhe pasi është ndjekur që nga rruga “Don Bosko”, është konstatuar për shkak se ai ka thyer orën policore. Por kjo nuk ngarkonte policinë që të qëllonte, por ta neutralizonte. Rasha është qëlluar me 2 plumba nga efektivi, një në shpatull dhe një në kokë, dhe si pasojë ndërroi jetë në spital. Në momentin kur është qëlluar ai ka qënë në lagjen e tij, pak metra larg shtëpisë.
Hasan Rasha, xhaxhai i 25-vjeçarit hodhi poshtë pretendimin se policisë se i riu kishte armë me vete, prandaj u qëllua për vdekje. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se nipi ka qenë i sëmurë, ndërsa gjatë ditës ka qenë duke punuar. Më pas në darkë, sipas tij, Klodjan Rasha ka dalë për të pirë kafe. Hasan Rasha kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kush e vrau të riun? Efektivi i policisë që qëlloi për vdekje Klodjan Rashës, mësohet se kishte dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ai ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Efektivët “Shqiponja”, mësohet se nuk kanë patur kamera trupi të instaluara. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth ngjarjes, përfshirë edhe në servisin që gjendet pak metra larg vendit ku është ekzekutuar 25-vjeçari. Kamerat e servisit kanë qenë të fikura dhe nuk kanë kapur asgjë. Po ashtu bëhet me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, e cila ka kapur disa sekuenca të lëvizjes në vrapim e sipër me shpejtësi të të riut. Kjo vrasje në ditën e Rinisë, është një ngjarje edhe më e rëndë.
Prokuroria po heton ngjarjen. Deri në përfundim të hetimit, nuk dihet nëse efektivi është fajtor për ngjarjen. Ai mund të dalë edhe fajtor, por përgjegjësinë do ta mbajë përpara Gjykatës. Mund të përjashtohet nga policia dhe të përfundojë në burg. Nxjerrja e inicaleve të efektivit nga Policia e Shtetit është dhënie për gjykim tek të afërmit e viktimës, një thirrje për vetëgjyqësi. A e shiti Policia efektivin?