Përgjakja e janarit me 13 viktima nga 80 aksidente
Viti nisi me aksidente tragjike. Janari në 19 ditë regjistroi mbi 80 aksidente rrugore, ku humbën jetën 13 qytetarë. Rasti më i fundit u regjistrua mesditën e së martës në Shkodër, ku një 68-vjeçar u godit nga një automjet.
Parakalimet e gabuara, shpejtësia e lartë, përdorimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, por edhe vështirësitë që krijohen në qarkullim gjatë sezonit të dimrit, janë disa nga arsyjet e këtyre aksidenteve. Po eksperët çfarë thonë? Eksperti i sigurisë rrugore Artur Sulçe, thotë se drejtuesit e automjeteve duhet të përgatiten për reshjet e shirave por edhe ngricave në rrugët e vendit.
”Duhet të pajisen me gomat e dimrit, sepse kanalet e tyre shtojnë kontaktin me asfalti. Në zonat me ngricë dhe dëborë, patjetër duhet të përdoren zinxhirët”. Eksperti shton se përveç përgjegjshmërisë së shoferëve, punës së policisë rrugore, edhe entet pronare të rrugëve kanë përgjegjësi në rastet e aksidenteve. Për Sulçen, edhe trafiku i padisiplinuar në vendin tonë, është shkak për aksidentet rrugore.