Përgjakja e janarit nga aksidentet, publikohet bilanci i frikshëm
2021 nisi me një numër të lartë të jetëve të humbura nga aksidentet rrugore. Sipas të dhënave nga uniformat blu gjatë janarit kanë ndodhur rreth 150 aksidente, me 21 të vdekur, 16 të plagosur rëndë dhe 170 të plagosur lehtë.
Krahasuar me muajin janar të 2020-ës rezultojnë 9 humbje jete më shumë ndonëse si numër total aksidentesh, kanë qenë pothuajse të njëjtë.
Ajo çfarë bie në sy gjatë këtij muaji sipas burimeve nga policia janë përfshirja në aksidente më pasoja të rënda rrugore, e kategorive si këmbësorët dhe motoçiklistët.
Pse përgjaken rrugët e vendit? Shkaqe kryesore vijojnë të jenë edhe shpejtësia, parakalimi i gabuar apo përdorimi i pijeve alkoolike.
Shumë aksidente që rënduan bilancin e këtij muaji, ndodhën gjatë mbrëmjeve të ditëve me reshje të dendura shiu, ku pamja e drejtuesve të mjeteve kufizohet ndjeshëm, shto këtu edhe mungesën e sinjalizimeve në akse të caktuara rrugore.