Përjashtimi i Berishës, Gjekmarkaj: Ishte ultimatum i SHBA-së, Basha nuk kishte rrugë tjetër
Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj, thotë se vendimi i kreut Lulzim Basha për ish-kryeministrin Sali Berisha ishte rrugë pa shteg sepse gjithçka u vendos nga SHBA. I ftuar në ”Open”, Gjekmarkaj pohoi se nuk gjen rrugëdalje tjetër sepse Partisë Demokratike i është vënë ultimatum.
”Është paradoks që pas 8 vitesh në opozitë shpallet “non grata” Berisha dhe jo qeveria e korrupsionit. Mendoj që Berisha po bie në atë që kanë rënë shumë persona që janë larguar nga PD, pasi janë cënuar. Vendimin për të e ka marrë një shtet tjetër, një fuqi madhore. Me atë që unë di, dukej se ishte një rrugë pa shteg. Nuk kishte alternativë tjetër Lulzim Basha.
E quaj normale dhe reagimin e Berishës. Kjo duket gjakësore, por e pjek demokracinë dhe e bën më moderne cdo pikëpmaje. Duke iu referuar fjalës së Bashës, besoj se është e vështirë të mbledhësh anëtarësi e as Kuvend për një ultimatum që i është vënë PD.
Unë sinqerisht e kam të vështirë të gjej cila është rrugëdalja përveç kësaj që ka ndodhur. Këtë vendim e kanë marrë të tjerët, Basha thjesht e ka certifikuar. Të gjithë ata që e kanë kritikuar Bashën përse nuk e heq Berishën. Tani, i shtrënguar nga rrethanat, Basha e ka marrë këtë vendim, thonë pse e mori këtë vendim”.