Përkeqësohet situata në Rrugën e Kombit, kujdes hyrje-daljet e tunelit

Rritja e intensitetit të reshjeve të dëborës gjatë pasdites të së dielës ka përkeqësuar situatën në Rrugën e Kombit.

Lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë është bllokuar nga Fani e deri në Morinë, ndërsa autoveturat lejohen të lëvizin vetëm me zinxhirë, pasi ka ngrica në rrugë dhe është rrezik për aksidente.

Këto masa janë marrë nga policia rrugore, e cila në pikat më problematike ka vendosur 4 patrulla policie, të cilat këshillojnë drejtuesit e mjeteve.

Situata bëhet më problematike gjatë orëve të natës, kur edhe temperaturat bien shumë nën zero dhe ngricat mund të bëhen shkak për aksidente rrugore, nga të cilat pasojat mund të jenë të mëdha.

Sipas ekspertëve të policisë, çdo drejtues mjeti që do të mundohet të hyjë në rrugë, i pa pajisur me zinxhirë, do të bllokohet dhe do të penalizohet.

Aktualisht në Rrugën e Kombit, në pjesën që përshkon qarkun e Lezhës janë 6 borëpastruese që po punojnë gjatë 24 orëve për të mbajtur hapur këtë segment rrugor.
Krahas pastrimit të dëbores ato po punojnë paralelisht edhe në hedhjen e kripës dhe skorjes.

Më kritike situata është në juglindje të vendit. Në rrugën Elbasan-Librazhd, trashësia e borës ka shkuar deri në 50 cm, ndërsa mjetet qarkullojnë ngadalë vetëm me zinxhirë.

Aksi monitorohet rreptësisht nga efektivë të rrugores, ndërsa borëpastrueset po hedhin kripë dhe skorje në rrugë.

Problematike janë dhe akset Pogradec-Qafe Thanë, Korçë-Kapshticë dhe Përrenjas-Librazhd, të cilat për orë të tëra kanë qenë të bllokuara, qarkullohet vetëm me zinxhirë.

SHKARKO APP