Përmbytja në Lezhë, Ministria e Bujqësisë: Situata nën kontroll
Nisur nga situata e reshjeve të dendura mbrëmjen e djeshme dhe gjatë natës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave njofton se, që nga ora 19.00 e ditës së djeshme (e martë), në rrethin e Lezhës kanë rënë 106 mm shi, me një intensitet më të lartë deri rreth orës 01.00 të pasmesnatës, në zonën Grash – Zojs – Mabe të Zadrimes.
Ndërsa në zonën e Dajçit kanë rënë 72 mm shi, në qytetin e Lezhë 82 mm dhe në fshatrat në Jug, kryesisht në Tale, kane rënë 120 mm, si dhe në zonën e Torovicës.
Si pasojë e këtyre reshjeve, deri rreth orës 10.00 të ditës së sotme, gjenden nën ujë, në Zadrime rreth 350 hektarë toka, në Torovicë rreth 350 ha, Zejmen – Barbullojë, rreth 150 hektarë.
Në rrethin Kurbin, nga përmbytja e kaluar kishte ende ujë të pa larguar dhe ka shtesë në sipërfaqe nën ujë, kryesisht rreth nënkalimit të Laçit dhe në Sanxhak.
Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, tërheqja e ujit vazhdon normalisht, çka do të thotë se, hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe rrjeti është në funksion.
Ndërsa MBZHRAU ka në terren të gjitha strukturat e saj në qarkun Lezhë, për të monitoruar dhe mbajtur nën kontroll situatën, e cila është drejt përmirësimit.
Sipas njoftimit të ministrisë së Bujqësisë, rreshjet kanë shtuar prurjet në kaskadën e Drinit duke rritur nivelin e liqenit.
KOHA JONË SONDAZH

