Përmbytje në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

 

Moti i keq me reshje shiu, breshër, por edhe dëborë pushtoi mbarë vendin këtë të dielë.

Mjaftuan disa orë shi i furishëm, që në kryeqytet të rikthehet problemi i përhershëm, ai i përmbytjes së rrugëve, duke paralizuar qarkullimin në pothuajsë të gjithë Tiranën.

Situatë më problematike është shënuar në qendër të qytetit, e cila për orë me rradhë u bë pothuajse e pakalueshme.

Motit të keq nuk i shpëtoi as Durrësi, ku gjatë pasdites për vetëm gjysmë orë shi, shumë zona u përmbytën. Kështu qarkullimi u paralizua në qendër të qytetit, pranë stacionit të trenit, por edhe në disa lagje. Ndërsa hidrovoret ishin të gjitha në punë.

E njëjta situatë me reshje shiu e breshëri të furishëm u regjistrua të dielën edhe në Lezhë, ku 10 fshatra të dy komunave Zejmen dhe Kolsh kanë  mbetur prej orësh pa energji elektrike, pasi moti i keq dhe erërat e forta kanë dëmtuar fidrat.

Edhe në Elbasan reshjet e vazhdueshme përgjatë të gjithë ditës kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme në rrugët e lagjet kryesore të qytetit, ndërsa janë raportuar probleme për furnizimin me energji elektrike. Probleme të tilla janë raportuar edhe në Librazhd.

Por kjo e dielë e tretë e pranverës, ka rikthyer edhe dëborën në zonat malore. Situata më e vështirë është paraqitur në zonat malore ku janë shfaqur vështirësi në lëvizjen e mjeteve, por nuk pati raportime për zona të bllokuara.

Në qarkun e Kukësit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët e komunave të thella si Kalis, Grykë Çajë, Zapod e Shishtavec.

Ndërkohë në Rrugën e Kombit po punohet në vazhdimësi nga mjetet borëpastruese, për largimin e borës.

Në Dibër trashësia e dëborës shkon mbi 10 cm. Raportohet se në komunat Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Zerqan, qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me goma dimërore.

Ndërkohë në qarkun e Korçës, ndonëse temepraturat janë ulur shumë nuk ka pasur reshje bore, por shi të dendur.

SHKARKO APP