Përmbytjet, Ministria e Punëve të Brendshme-qytetarëve: Dëgjoni thirrjet për evakuim!

Pavarësisht rrezikut që i kanoset me mijëra familjeve ë jug të vendit, ka nga ata që nuk po i braktisin shtëpitë dhe Ministria e Punëve të Brendshme  kërkoi sot me tepër bashkëpunim dhe sensibilizim me qytetarët.  Ministria e Punëve të Brendshme informon  se sot të gjitha strukturat dhe mjetet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë dhe po i vijnë në ndihmë çdo banori, në zonat e përmbytura në jug të vendit. Por,  MPB këshillon qytetarët që t’iu përgjigjen autoriteteve për evakuimin e banesave, kur paraqitet nevoja si dhe të evitojnë lëvizjet në zonat që janë të rrezikuara nga përmbytjet. – “U kërkohet qytetarëve që në rast rreziku të telefonojnë në numrat 129 të policisë së shtetit dhe 125 të emergjencave civile,” – thuhet në njoftim. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme Florion Serjani, jepet në qarqe kjo situatë:  

Fierit

Lumi Gjanicë është kthyer në shtratin e vet dhe uji është larguar nga banesat e fshatit Sheq. Ndërsa edhe prurjet në lumin Seman kanë shënuar ulje.

Në komunën Levan janë evakuuar 110 familje. Në operacionin Kthesa e Qarrit, pas mesnate janë evakuuar 30 familje, tre prej të cilave ishin të përbëra vetëm nga gra e fëmijë. Operacionet për evakuimin e banorëve kanë qenë të përbashkëta me forcat e policisë dhe qendrat e emergjencave. Në komunën Frakull janë evakuuar 30 familje. Ndërsa stacioni i pompimit që furnizon me ujë qytetin e Fierit është rivënë në punë. Po punohet për pastrimin e inerteve që kanë dalë nga dy anët e shtratit të lumit në qarqet Fier e Vlore.

Qarku Vlorë

Në Novoselë janë evakuuar 70 familje që rrezikoheshin nga përmbytjet. Fshatrat Nifol dhe Isham kanë rrezik të shtuar, për përmbytje. Drejtuesit e Komunës për shkak të mundësisë së daljes nga shtrati të lumit Vjosë kanë evakuuar 40 familje. Për të evakuuar banorët nga komuna Novoselë janë angazhuar forcat e Delta Forcë.

Qarku Elbasan

Ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar. Për shkak të reshjeve, në digën e liqenit të Banjës ka prurje intensive të ujërave. Nëse prurjet vazhdojnë me këtë ritëm rrezikojnë digën e liqenit dhe mund të hapen portat e digës.

Qarku Korçë

Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur reshje dëbore. Rrugët janë të hapura. Në Qafën e Qarrit qarkullimi bëhet me vështirësi për shkak të borës që shkon në 20 cm.

Qarku i Kukësit. Autostrada e Kombit e kalueshme për mjetet. Akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë. Mjetet borë-pastruese janë në gatishmëri për të ndërhyrë me qëllim mbajtjen e hapur të akseve rrugore. Aksi nacional për në Lekbibaj mbetet i bllokuar. Ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike

SHKARKO APP