Përmbytjet në Berat, deputeti Bozdo: 1 mijë hektarë nën ujë, fermerët të dëmshpërblehen 100%

Partia Demokratike ka kërkuar sot nga qeveria që të marrë përsipër dëmshpërblimin e plotë të fermerëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Beratit, duke akuzuar shtetin për dështim në menaxhimin e infrastrukturës mbrojtëse.

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo e përshkroi situatën në terren si dramatike, me dëme kolosale në bujqësi dhe blegtori. Sipas Bozdos, pasojat e motit të keq janë rënduar nga mungesa e masave parandaluese. “Situata në Berat pas përmbytjeve është e rëndë. Afro 1 mijë hektarë tokë janë të përmbytura. Për fat të keq, fermerëve u shtohet dhe humbja e mijëra krerë bagëtive,” tha ai.

Deputeti i PD-së ngriti gishtin e akuzës ndaj cilësisë së punimeve publike. Ai theksoi se paratë e hedhura për argjinatura kanë shkuar dëm, pasi ato nuk kanë mundur të përballojnë prurjet. “Problem është sistemi i kanaleve kulluese që nuk funksionon. Shumë para janë investuar në ndërtimin e argjinaturave, të cilat nuk rezistuan sepse janë ndërtuar me cilësi të dobët. Infrastruktura kulluese është lënë në mëshirë të fatit,” denoncoi Bozdo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bozdo e cilësoi qasjen e qeverisë ndaj bujqësisë si “përbuzëse”, duke theksuar se fermeri shqiptar shihet vetëm si votues në kohë fushate. “Është e domosdoshme mbështetja e shtetit. I bëj thirrje qeverisë për dëmshpërblim 100% të fermerëve nga dëmet e shkaktuara. Fermeri shqiptar në këtë qeverisje është i lënë mënjanë”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?