Përmbytjet, Qeveria: Situata është kritike

Këshilli i Ministrave zhvilloi mbrëmjen e sotme në orën 20:30 një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me masat e marrë për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në Jug të vendit. Në përfundim të mbledhjes, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Bujqësisë, Edmond Panariti e vlerësuan situatën si kritike. Fillimisht u tha se Këshilli i Ministrave do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, por duket se kabineti qeveritar, nisur dhe nga zhvillimet e fundit, nuk e ka cilësuar të arsyeshme këtë masë.

Qarqet ku situate paraqitet më kritike janë Vlora, Fieri, Berati, Gjirokastra dhe Elbasani, ku nga përmbytjet e 3 ditëve të fundit si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati dhe përmbytjes së dhjetra hektarëve tokë bujqësore dhe një numri të konsiderueshëm banesash. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut lumenjtë Vjosë, Osum, Gjanica dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati.

Zv.Kryeministri Niko Peleshi tha se të gjitha shtabet emergjencës janë në gjendje gatishmërie.  Sipas tij, Ministri i Brendshëm ka ngritur shtabin qendror, ndërsa në çdo qark është ngritur nga një shtab me në krye prefektët. Peleshi tha se ka dëme të shkaktuara nga kjo situatë, por operacioni ka qenë i gjithanshëm. “Kemi kërkuar mbështetje dhe do të shfrytëzojmë çdo hapësirë. Shpresojmë që situate më e keqe ka kaluar”, theksoi zv.Kryeministri.

Ndërsa ministri i Bujqësisë Edmond Panariti theksoi se hidrovoret kanë qenë në gatishmëri, kanë punuar me fuqi të plotë.  Sipas tij, kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndodhur për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati.

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri theksoi se shtabet e emergjencës civile do të jenë në gatishmëri maksimale për të përballuar me sukses çdo lloj situate që mund të krijohet. “Disa qarqe në jug të vendit janë në situatë kritike, ku me mijëra hektarë janë përmbytur. Për çdo strukturë do të ishte e vështirë përballimi i situatave të tilla, kur lumenjtë kanë dalë nga shtrati.

Janë evakuar mbi 300 familje. Kjo është një emergjencë civile, një situatë kritike por ne jemi në gatishmëri të plotë. Qytetarët të mirëkuptojmë forcat e rendit apo ato të FA përsa i takon evakuimit apo moskthimit në banesat e tyre të përmbytura. Gjendja në jug të vendit vijon të mbetet problematike dhe dëmet e shumta janë në gjënë e gjallë dhe tokë buqësore, por fatmirësisht deri tani pa dëme në njerëz. Situata pritet të përkeqësohet ditën e  mërkurën, pasi intesiteti i rreshjeve të shiut do të jetë edhe më i madh”, theksoi Tahiri, i cili vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave të shtetit në përballimin e situatës.

SHKARKO APP