Përpjekja për shpërthimin e burgut në ’98/Nano tregon për vitet në qeli: Prifti më tha…

Ish-Kryeministri Fatos Nano në të parën intervistë televizive pas 10 vitesh, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” edhe një moment të një vendimi të vështirë që i është dashur të marrë. Nano ka treguar se si është arritur të ndalet një përpjekje për të shpërthyer burgun e Tiranës në mars të vitit 1998. Ai ka thënë se në momente të vendimeve të vështira, liderët mbeten vetëm.

Fevziu: Në intervistën me Kryeministrin më tha që me Nanon kam një raport të mirë edhe për faktin, që ai është i vetmi që e di sa i vetmuar është të jesh në zyrën e Kryeministrit. Ju keni marr disa vendime shumë më të rëndësishme se sa kryeministri i sotëm dhe shumë kryeministra të tjerë, për arsye të momenteve historike që keni drejtuar qeverinë. Është e vërtetë që kur je në zyrën e Kryeministrit edhe pse je i rrethuar nga shumë njerëz vendimet duhet t’i marrësh i vetëm?

Nano: Në thelb është e vërtetë, sepse Kryeministri ose drejtuesi i një maxhorance qeverisëse, ka barrën dhe peshën e sëpatës së fundit. Sado të konsultohesh, sado të jesh i hapur për të dëgjuar mendimet e të tjerëve vendimin e fundit e jep vetë. Ndërkohë askush nga të tjerët nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës, që ai e ka gjetur zgjidhjen, sepse nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Në momentin e fundit do ta ndash vetë rëndësinë e veprimit, thellësinë e shtrirjes dhe impaktin.

Fevziu: Ka patur vendime të vështiraa?

Nano: Pa dyshim.

Fevziu: Kujton ndonjërin?

Nano: Janë dy llojesh. Unë kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para unë nuk kam arritur të shpalos programin, ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike, opozita ishte shumë më pak operuese , ishte agresive. Mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekjeje për të shpërthyer burgun e Tiranës siç ndodhi në Mars ‘98 tek situata në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të vjedhur armët. Do thuash kur ngele vetëm?

Në momentin që unë dhe Ndre Legisi që ishte sekretar i shtetit, po komunikonim pa ndërprerë telefonikisht për masat që duhej të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse FNSH ishin në Shkodër dhe u duhej 2 orë të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe mbi të gjitha ishin specialistë që njihnin planimetrinë e burgut dhe dinin të vepronin në këto lloj situatash.

Në orën 9 në mbrëmje, në një nga telefonat me Ndrekën, Ndreka më thotë: Neritani iku, ministri, Më dorëzoi telefonin dhe çelësat dhe më tha: Ika se ra shteti. Dhe iku vërtet. Dhe unë vazhdova me Ndrekën derisa me ndihmën e radio “Kohës”, bëmë një fushatë diversioni pozitive në mes të të rebeluarve dhe e ndamë shapin nga sheqeri, derisa u kthen FNSH nga Shkodra.

Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit më merr Neritani, ministri dhe më thotë: E zgjidhëm ne situatën. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Nivelin e përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër.

Nga ana tjetër Nano citon shpesh Biblën, dhe për këtë ai thotë se nuk beson dot dogmat dhe prandaj duhet të gjykosh. Ai ka treguar një histori kur ka qenë në burg. Në rrëfimin e tij, Nano thotë se në qeli i shkoi një prift amerikan për ta takuar dhe për të parë kushtet në cilët qëndronte.

Blendi Fevziu: Ka dy vese në këtë shoqëri. E para është ekzaltimi kur ke pushtetin dhe e dytë është xhelozia kur të shohin që je duke ecur përpara. Nuk e di nëse i keni ndjerë në karrierën tuaj fort këto dy forca. Nuk flas vetëm si ndjesi, por edhe si veprim.

Fatos Nano: Natyrisht kanë qenë prezentë, por nuk ke shumë kohë të merresh me to. Dhe le ta kalojmë këtë me sportivitet. Ai që ushqen ndjenja të tilla, ai i bën keq vetes. Bën një nga 7 mëkatet kapitale të Biblës. E pengon dhe atë, sjell dhe dëm në komunikim. Por janë gjithmonë prezente në mjedisin politik, edhe pastaj shfaqen në intriga.

Blendi Fevziu: E shoh që disa herë citoni Biblën, e keni cituar dhe më parë. Besoni?

Fatos Nano: Është pjesë e kulturës së njerëzimit të cilën duhet ta njohësh. Ne jemi qenie me tru normal, duhet të gjykosh mbi të. Nuk beson dot dogmën. E kam lexuar Biblën, kam lexuar Kuranin. Kam bërë një krahasim mes të dyjave, kam lexuar dhe literaturë shoqëruese myslimane dhe të krishterë. Ka shumë histori që të mësojnë më shumë se sa vetë ajetet, dhe kështu mund të ruhesh nga dogma dhe mund të dallosh më kollaj ata që janë dogmatik. Për shembull, dikur erdhi një prift amerikan në burgun e Tiranës në kohën që isha i burg, i shoqëruar nga drejtori i cili nuk dinte anglisht. Në një moment prifti m’u afrua dhe më tha unë kam ardhur të shikoj kushtet në të cilat të mbajnë sepse Departamenti i Shtetit kërkon informacion. Tani drejtori, nipi i Qazim Mulletit që ato kohët e para ishte shumë aktiv për ta ngordhur këtë kafshën që kishin sjellë aty, më vonë u bëmë miq, i shqetësuar çfarë po thonë këta në anglisht, i thotë atij: “Dëgjo, se ky kot bën sikur lexon libra fetarë se nuk e beson Zotin”. Ku e di ti, i tha ai. Po s’i beson qeverisë – tha – nuk i beson Zotit.

SHKARKO APP