
Një aksident i rëndë me përfshirjen e tre automjeteve është regjistruar mbrëmjen e së dielës në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, në drejtim të Lushnjës.
Si pasojë e përplasjes në seri, një prej automjeteve ka përfunduar e përmbysur në rrugë, ndërsa një drejtues mjeti ka mbetur i lënduar dhe është transportuar në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një automjet që ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në autostradë. Për të shmangur përplasjen me të, drejtuesi i një automjeti tip “Benz” ka frenuar menjëherë, por kjo ka bërë që automjetet e tjera të përplasen njëri pas tjetrit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut të rënduar dhe dokumentimin e aksidentit. Gjithashtu, zjarrfikësit e Lushnjës kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës nga mbetjet e automjeteve të përfshira në përplasje.
