Përplasje mes Presidentit të Malit të Zi dhe zv/kryeministrit shqiptar
Kabineti presidencial kërkon shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit. Gjeloshaj: Akuzat janë gënjeshtra të rënda.
Podgoricë – Një krizë serioze institucionale ka shpërthyer në Mal të Zi pas përplasjes së drejtpërdrejtë mes Presidentit të vendit, Jakov Milatoviq, dhe zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj, i cili njëkohësisht mban edhe portofolin e Zhvillimit Ekonomik.
Shkak për përplasjen është kthimi për rishqyrtim në Kuvend i Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme nga ana e Presidentit. Sipas Kabinetit të Milatoviqit, pas këtij veprimi, Gjeloshaj ka reaguar me mesazhe kërcënuese dhe të papërshtatshme ndaj Presidentit, për çka janë vënë në dijeni autoritetet shtetërore, përfshirë Policinë e Shtetit.
“Presim që institucionet të reagojnë menjëherë në përputhje me Kushtetutën. Kërkojmë nga Kryeministri shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit. Heshtja nënkupton lejim të kërcënimeve ndaj Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratën e Kabinetit presidencial.
Sipas të njëjtës deklaratë, motivi i Gjeloshajt lidhet me interesat e mëparshme të tij si ish-kryetar i Komunës së Tuzit në një çështje gjyqësore me kompaninë “13 jul Plantaže”. Kabineti pretendon se ligji i kthyer nga Presidenti kishte efekte retroaktive që do të ndihmonin Komunën të mbyllte procesin në dëm të kompanisë dhe në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër, Gjeloshaj ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si “gënjeshtra të rënda” dhe duke e quajtur Milatoviqin “president të rastësishëm”. Ai ka deklaruar se komunikimi mes tyre është i ruajtur dhe provon qartë se nuk ka pasur asnjë kërcënim.
“Deklarata e Milatoviqit është një shpifje e rëndë. Komunikimi ynë ekziston dhe është prova më e mirë e së kundërtës”, ka thënë Gjeloshaj për mediat.
Përplasja ka ndezur debat të gjerë politik dhe institucional në Mal të Zi, ndërsa pritet reagimi i Kryeministrit dhe institucioneve përkatëse për të qartësuar situatën dhe për të shmangur një krizë të thellë shtetërore.
KOHA JONË SONDAZH

