Përurohet shkolla “Andrea Stefani”, Veliaj: Tirana e mbyll këtë mandat me 40 shkolla të reja (FOTO)
“Andrea Stefani” është shkolla më e re në Tiranë, e cila të hënën do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11. Godina moderne, pjesë e paketës së 12 shkollave të reja të projektuara nga arkitekti i njohur, Stefano Boeri, që hapen këtë vit të ri shkollor në Tiranë, u përurua sot nga Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Kryebashkiaku tha se me 12 shkollat e reja që hapen këtë vit në Tiranë numri i institucioneve arsimore të ndërtuara, disa prej të cilave mbajnë firmën e Stefano Boerit, arrin në 40.
“Ndërtimi i shkollave të reja në Tiranë është një projekt që e filluam me Edin në ditën e parë të qeverisë dhe është një nga projektet që është sulmuar më shumë: “Ç’janë këto shkolla që bëhen nga 5 në një dorë?”, thonin.
Por, ishte e vetmja mënyrë sepse nëse vazhdonim me ritmin tonë burokratik, të ndërtimit të një shkolle në vit, Tirana nuk e kapte ritmin për 65 vjet krahasuar me sa rritet dhe nevojat që ka për shkolla të reja. Kjo ishte arsyeja përse vendosëm në atë paketë të parë 17 shkolla të reja, kurse me programin e rindërtimit shtuam edhe 23 të tjera. Në total, Tirana do ta mbyllë këtë mandat me 40 shkolla të reja. Kjo është nisma më e rëndësishme për arsimin që pas Luftës së Dytë Botërore,” u shpreh ai.
Veliaj tha se me këtë shkollë, të gjitha familjet e zonës së Laprakës, Astirit, por jo vetëm, edhe në kufijtë e Kamzës e Kodër Kamzës, nuk do të humbin më kohë për transportin e fëmijëve drejt shkollës.