Përurohet shkolla e re “Emin Duraku”, Veliaj: Më e madhe dhe më e bukur se përpara

Fëmijët e Njësisë 5 në Tiranë kanë një shkollë shumë herë më të fortë dhe me kushte më të mira për të mësuar. Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”, e cila pret çdo vit mbi 1300 nxënës, u rindërtua nga Bashkia e Tiranës, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti. Në përurimin e saj, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, u shprehën se shkolla e re u ndërtua aty ku ishte, por më e madhe, më e bukur dhe më e fortë se ajo që ishte. Në fjalën e tij, Veliaj tha se buqeta e shkollave në kryeqytet do vijojë të plotësohet me rindërtimin e shkollave “Edith Durham” dhe “Petro Nini Luarasi”.

Ka shumë njerëz që thonë, jo vetëm për shkollën, por edhe për teatrin, se e duan ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë! Çështja është të bëjmë ca gjëra të reja, të bukura, më të forta e më të mëdha, me më shumë hapësirë e modernizim e më shumë cilësi. Sot kemi zbatuar pikërisht këtë: aty ku ka qenë, por më e madhe, më e bukur dhe më e fortë. Kantieri i radhës është vetëm 50 metra nga këtu, shkolla ‘Edith Durham’, ajo do të jetë shkolla e re që do të bëjmë për Njësinë 5. Për të gjithë ata që kanë kërkuar më shumë hapësira, jemi te faza ku shkollat në periferi janë bërë aq të mira, sa ka ardhur koha të bëjmë ‘Edith Durhamin’, shkollën në zemër të ish Bllokut, me të njëjtën cilësi, aty ku ishte, por më të bukur, më të fortë dhe më të madhe se ç’ishte. E filluam në qendër të ish Bllokut me kopshtin ‘Sunny Hill’, vijuam me kopshtet e çerdhet, mbaruam tani 9-vjeçaret dhe është tamam qershia mbi torte, “Petro Nini Luarasi”, që gjithë cikli i atyre që studiojnë, mësojnë dhe rriten në zemër të Tiranës, të jetë cilësor nga fillimi deri në fund”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Tirana është e vetmja bashki në Europë që e jep falas arsimin digjital për fëmijët, për të siguruar që brezi i ri të mësojë punët e së ardhmes pa qenë nevoja të ikë nga Shqipëria.

SHKARKO APP