Pesë skenarët e përfundimit të luftës në Ukrainë, një u përmbush sot
Rusia nuk po bën hapa pas në luftën që vijon prej 219 ditësh në Ukrainë. Ekspertët kanë parashikuar 5 skenarë sesi mund të jetë fundi i luftës që ka prekur mbarë botën.
Skenari afgan
Lufta do të vazhdojë për javë, muaj, madje edhe vite. Evropa do të paguajë çmimin më të lartë, të paktën nga pikëpamja ekonomike dhe energjetike. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kievin, por nga një distancë e sigurt. Nga ana e tij, Putin do të vazhdojë të drejtojë operacionet nga Kremlini derisa të ketë arritur qëllimet e tij. Përfundimi mund të jetë shumë i largët dhe madje i paqartë. Ashtu siç ndodhi në luftën 20-vjecare të SHBA-së Afganistan. Shumë pak fitues, shumë humbës.
Skenari vietnamez
Putin detyrohet të tërheqë njerëzit e tij nga Ukraina. E pamundur të imagjinohet se çfarë mund të ndodhë në atë moment. Shumë gjëra do të varen nga shkalla e “poshtërimit”. Nëse strategjia e largimit do të jetë shumë e papritur, kreu i Kremlinit mund të rrezikojë të rrëzohet. Në atë moment, Federata Ruse do të përjetojnë një gjendje kaotike. Kush do ta pasojë? Është e pamundur të thuhet. Në bazë të përgjigjes, mund të kemi një situatë më të qartë mbi armët bërthamore. Nëse frenat e vendit bien në duart e një “skifteri” të etur për hakmarrje ndaj bllokut perëndimor, situata mund të përkeqësohet më tej.
Skenari sirian
Referendumi i aneksimit i çimenton kufijtë e rinj dhe Kievi bashkë me SHBA dhe BE, duhet të pranojnë faktin e kryer. Lufta është pamundur të vazhdohet më tej, nëse nuk dëshirohet një konflikt bërthamor. Ajo do të vazhdojë për muaj, në mos vite. Por do të zhvillohet në zona të veçanta, ndërsa Ukraina do të ndahet në zona të shumta ndikimi. Zelensky do të mbetet në pushtet, ose mund të shkarkohet nga një pjesë e ushtrisë për humbjet që lejoi, ose më saktë për fitoret e humbura. Pavarësisht nga e ardhmja e qeverisë ukrainase, rezultati përfundimtar është se Rusia do t’i ketë arritur qëllimet e saj strategjike. Ashtu si në Siri.
Skenari korean
Pas muajsh luftime me intensitet të ulët, delegacionet ruse dhe ukrainase të mbështetura përkatësisht nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, takohen për t’i dhënë fund armiqësive. Kievi dhe Moska bien dakord për një armëpushim në pritje të zgjidhjes së problemeve dhe plotësojnë, aty ku është e mundur, kërkesat e ndërsjella. Ne nuk e dimë se kur apo nëse do të ndodhë kjo gjë, dhe as nëse do të rifillojnë luftimet. Në këtë skenar, lufta në Ukrainë do të kthehej në një luftë të ngrirë, ashtu si në gadishullin Korean.
Skenari bërthamor
Është hipoteza më e frikshme. Gjykuar nga deklaratat e Joe Biden, Shtetet e Bashkuara dhe NATO mund të kundërpërgjigjen me goditjen e dytë. Dhe kështu me radhë, deri në një pikë pa kthim. Diplomacia duhet të bëjë gjithçka për ta shmangur një skenar të tillë. Ky skenar nuk është i largët.