Peshkopi, përplasen edhe deputetët, ndërhyn policia

Gara më e fortë në këto zgjedhje duket se është ajo për Bashkinë e Dibrës, ku dy kandidatët, Shukri Xhelilin e ASHE-së dhe Ilir Krosin e APPD-së, i ndan nga njëri-tjetri një grusht votash, pas 73 kutive të numëruara.
 Që në mëngjes dy kandidatët e kanë parë veten herë njëri dhe herë tjetri në avantazh.
Rezultati i ngushtë ka sjellë tensionimin e situatës rreth orës 17:00 në KZAZ-në e kësaj bashkie, ku është kërkuar ndërhyrja e policisë, për largimin e të gjithë personave pa mjet identifikimi. Aktualisht, kandidati i APPD-së ka përmbysur disavantazhin e 31 votave dhe e sheh veten në avantazh me 27 vota. Socialistët fajësojnë demokratët për tensionimin e situatës.
 “Ka pasur momente tensioni të krijuara nga numëruesit e PD me pretendime të paqena për të bërë vota të pavlefshme edhe aty ku nuk ishin”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.
 Por demokratët kanë një tjetër version. Sipas tyre, situata u tensionua nga jashtë grupeve të numërimit.
“Një nga vëzhguesit këtu në panelin e numërimit, u sul për të kapur një fletë votimi dhe krijoi një rrëmujë në procesin e numërimit. PD është në avantazh dhe nuk lejon që të manipulohet rezultati. Rrëmuja erdhi nga jashtë rrethit të numërimit. Numëruesit e PD kërkojnë korrektësi. Jemi në avantazh dhe vazhdojmë ta thellojmë këtë avantazh”, tha Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike.

SHKARKO APP