Pesimizmi i Manjanit: Brezi im nuk do shohë drejtësi

“Të gjallët e brezit tim nuk besoj se do të shohin drejtësi në këtë vend, por të paktën të fillojmë të zbatojmë ligjin”.

Edhe pse shumë pesimiste, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani mendon se kjo është e vërteta e realitetit shqiptar.

Në një aktivitet në Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale, Manjani u shpreh se në vendin tonë bëhen shumë ligje, por mungojnë njerëzit e duhur për t’i zbatuar ato.

“Ne mund të bëjmë ligje, kemi bërë ligje sa jemi shqepur, do bëjmë ligje të tjera e do shqepemi prapë. Ajo që nuk e qep Shqipërinë është mungesa e burimeve njerëzore”, tha Manjani.

Duke iu rikthyer reformës në drejtësi, Manjani u shpreh se ndeshet çdo ditë me mosbesimin e njerëzve tek gjykatat dhe te faktit tjetër që politika duhet ta kuptojë që s’ka shans të dalë mbi ligjin.

Por për të arritur këtë, Manjani njoftoi se ka ndërmarrë një nismë zyrtare për hapjen e shkollës së Magjistraturës, pasi sipas tij, nuk ka reformë në drejtësi, pa një konkurrencë cilësore.

“Duhet të bëhemi gati për të përballuar reformën në drejtësi, është reforma më e thellë që ka planifikuar ndonjëherë ky vend”, tha Manjani.

Manjani tha se reforma nuk duhet të mbështesë të fortin.

Ndërsa zëvendësambasadori amerikan David Muniz, nënvizoi se duhet të garantohet zbatimi korrekt i reformës.

Për të treguar se sa e madhe është mbështetja amerikane për Shqipërinë, zëvendësambasadori i është rikthyer vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, për të cilën tha se nuk ishte rastësore, por në vazhdën e një politike të qartë.

SHBA-te janë investuar fuqishëm në reformën në drejtësi, nëpërmjet diplomatit Donald Lu.

SHKARKO APP