Pesticidet toksike dhe kancerogjene të komunizmit vazhdojnë të helmojnë tokën shqiptare

Të përdorura me tepri dhe pa kujdes gjatë periudhës së regjimit, produktet dhe toka bujqësore shqiptare është e kontaminuar me pesticide të rrezikshëm dhe kancerogjenë si lindani dhe DTT-ja, të cilat përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin publik dhe kanë bllokuar eksportet bujqësore shqiptare në BE.

Nga Esmeralda Keta

Në verën e vitit 1993 Bardha Begaj, me profesion agronome por e mbetur e papunë,vendosi që të ngrejë fermën e saj në Fier. Për të kjo ishte e vetmja zgjidhje që jo vetëm ajo të kishte mundësi të ushtronte profesionin, por edhe të prodhonte të ardhura për familjen. E nisi si të gjithë fqinjët e saj duke mbjellë domate e kastravecë.

“E kam nisur nga a-ja, e vetme fare. Vishja çizmet në mëngjes dhe i hiqja në darkë. Burri nuk e donte fermën, lekë nuk kisha, se kisha ngelur pa punë dhe të gjithë ishin të bindur se po i bëja gropën familjes,” kujton Begaj.

Pas shumë vitesh sakrificash dhe pune të palodhur, gati një dekadë më pas ferma fillojë të gjeneronte të ardhura dhe 5vjet më parë, si shumë fermerë të zonës ajo filloi të bashkëpunonte me një kompani Daneze, që ishte e interesuar ta orientonte prodhim drejt sallatës, karotave dhe erëzave për eksport.

“Tregtarët danezë, para se të fusin një produkt në tregun e tyre, u bëjnë vetë analizat për nivelin e pesticideve apo mbetjeve,” tregon Begaj. “Ne na rezultoi që karota dhe spinaqi që po eksportonim kishin nivel të lartë lindani,” shtoi ajo.

Lindani është një dezifektant dhe insekticid i rrezikshëm që gjatë kohës së regjimit komunist u përdor gjerësisht në bujqësinë shqiptare. Bardha kujton se ishte habitur si ishte shfaqur Lindani në prodhime e saj pasi nuk e kishte përdorur insekticidin.

“Atëherë filluam të hetojmë shkaqet dhe kuptuam se pjesa ku kishim mbjellë karotat dhe spinaqin që na dilnin të ndotur ishte një pjesë e fermës që nuk përdorej për prodhim, por për farëra,” tha Bardha.

“Ajo kishte qenë një parcelë e dezinfektuar me lindan kundër krimbave,” shpjegoi ajo, duke shtuar e se kjo rrezikoi t’i hidhte në erë investimin që kishte bërë prej thuajse dy dekadash tek ferma e saj.

Por tokat e Bardhës nuk janë të vetme që janë të ndotura me lindan. Fakulteti i Shkencave të Natyrës që monitoron ndotjen e mjedisit nga pesticidet klor-organike, konfirmon se lindani dhe DDT-ja- një tjetër pesticid i rrezikshëm, vazhdojnë të jenë prezentë thuajse në të gjitha produktet bimore dhe shtazore shqiptare edhe pse nuk përdoren më në bujqësi.

Një studim tre vjeçar i kryer në këtë fakultet nga Profesor Aurel Nuro dhe kandidatja për doktorane Oljana Pine, që përmbledh periudhën 2014-2016, ka konfirmuar gjurmë lindani dhe DDT-je në 120 mostra produktesh të ndryshme ushqimore nga i gjithë vendi, duke filluar që nga uji i pijshëm, vera, fasulja, frutat e thata, vaji, gjalpi si dhe mishi e nënproduktet e tij.

Studimi ka konfirmuar gjurmë të lindanit dhe të DDT-së thuajse në të gjitha mostrat e analizuara, të marra në të gjithë territorin e vendit që nga Korça e deri në Kukës.

Për shkak se lindani dhe DDT-ja janë përdorur masivisht në bujqësi përgjatë viteve 60-70-80, por janë hequr nga qarkullimi që në fillim të viteve 90-të, autorët ia atribuojnë pikërisht kësaj periudhe prezencën e tanishme të këtyre kimikateve, duke e konsideruar ndotje historike ose të trashëguar.

Dy autorët e këtij studimi, ndonëse sqarojnë se nivelet e ndotësve klor-organikë ku bën pjesë edhe lindani, nuk i kalojnë nivelet e  rekomanduara në Direktivën e BE-s, sugjerojnë se këto të dhëna duhet të “shërbejnë si një alarm për institucionet përgjegjëse për të ushtruar kontrolle të vazhdueshme të tyre në ushqime sepse kjo është e lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e konsumatorëve.

Sipas tyre, “studimi i ndotësve organik dhe sidomos atyre klor-organik është një detyrim ligjor thuajse për të gjithë produktet ushqimore. Është e rëndësishme që këta ndotës klororganikë të përcaktohen në produkte ushqimore sepse ata paraqesin efekte shëndetësore për njeriun për shkak të toksicitetit të tyre të njohur”.

Rreziku nga Lindani dhe DDT-ja

Lindani në përgjithësi konsiderohet si një ndër kimikatet më të rrezikshme. Është një gama izomer me veprim insekticid të fortë. Është element kimik pa ngjyrë dhe erë karakteristike, i patretshëm në ujë dhe me qëndrueshmëri të lartë kundrejt ujit, dritës dhe ajrit. Ka veti të përhapet në shtresat tokësore me ujrat e reshjeve apo ato të përdorura për vaditje. Është i qëndrueshëm në mjedis dhe është i bioakumulueshëm në zinxhirin ushqimor si nga bimët ashtu dhe kafshët, madje dhe në mikroorganizma. Është substancë kancerogjene që mund të shkaktojë kancer të mëlçisë. Ekspozimi në nivele mesatare gjithashtu shkakton sëmundje të sistemit imunitar e të veshkave. Prekja apo marrja e një sasie fare të vogël lindani shkakton dhimbje koke, të vjella, dridhje e dobësi muskulare. Vështirësitë që i takojnë degradimit të lindanit e klasifikojnë atë në substancat që kanë qëndrueshmëri në mjedis dhe që quhen ndotës organik të qëndrueshëm (NOQ), ndërkohë shkalla e lartë e toksicitetit të tij e fut gjithashtu dhe në një grup tjetër ndotësish edhe më të rrezikshëm që janë ndotësit organik toksik (NOT).

Në Shqipëri fillimisht DDT dhe më pas lindani, ka qenë përdorur masivisht si dezinfektant dhe insekticid në bujqësi, në tejkalim të normave. Sotir Çuni, i cili ka punuar që nga viti 1966 si agronom në Libofshë të Fierit si dhe ka qenë edhe në krye të fermave të para viteve 90-të na tregon se ata nuk kishin asnjë dijeni për efektet anësore.

“E kemi përdorur dhe me shumë tepricë madje: deri në 3 kv/hektar për dezinfektim dhe 1 kv/hektarë për prodhim. Nuk diskutoheshin fare efektet anësore. Gëzoheshim që kishim prodhime të mbara, por nuk e dinim që po merrnim në qafë shëndetin tonë. Ndërkohë që nga fundi i viteve 80-të filluam të përdornim lindanin që prodhohej tek ish-kimikatja në Durrës, i cili ishte shumë më i fortë. Lindani që prodhohej në Shqipëri ishte shumë i mirë për prodhimin, por shumë edhe më i keq për shëndetin,” shpjegon agronomi, të cilit sot i duket absurde që askush nuk u kishte dhënë informacion për efektet anësore.

Efekteve e shumta anësore bëri që OBSH dhe FAO të ndalojnë përdorimin e tyre. U vërtetua se përdorimi i këtyre pesticideve, të cilët i rezistojnë degradimit dhe transportohen lehtësisht nëpërmjet ajrit, ujit apo gjallesave të tjera edhe në vende që nuk janë prodhuar e përdorur asnjëherë duke e kontaminuar atë. Në këtë situatë UNEP ndërmori hapat për përgatitjen e një instrumenti ligjor ndërkombëtar, me efekt detyrues, i cili do të përcaktonte rrugën “për një të ardhme pa ndotës Organikë të Qëndrueshëm”. Si rezultat i kësaj përpjekje, SHBA, së bashku me 90 shtete të tjera dhe me komunitetin Europian nënshkruanin në maj të 2001 në Stokholm të Suedisë një marrëveshje. Sipas traktatit, që njihet si “Konventa e Stokholmit”, shtetet ranë dakord të reduktonin ose të eliminonin prodhimin, përdorimin ose çlirimin e 12 ndotësve organikë. Në këtë listë bën pjesë edhe lindani, ndërsa DDT ishte ndaluar disa vite më parë. Shqipëria e ka ratifikuar “konventën e Stokholmit” në gusht të 2004-ës. Në përmbushje të detyrimeve që i lindën nga Konventa e Stokholmit, në vitin 2006, qeveria shqiptare hartoi një strategji kombëtare për heqjen nga përdorimi dhe eliminimin e ndotësve organikë të qëndrueshëm.

Aurel Nuro, profesor i asociuar në Departamentin e Kimisë te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i cili që prej vitit 2004 merret me studimin e ndotësve klor-organikë, na shpjegon se më e keqja e lindanit dhe DDT-së, të përdorur me shumicë në Shqipëri, qëndron tek fakti se pas shpërbërjes krijojnë formula të reja që janë shumë më toksike se sa formula mëmë.

“Sigurisht që prania e tyre ka ardhur në rënie krahasuar me 10-vite më parë, por kjo rënie ndonjëherë nuk ndikon për mirë, pasi në disa raste fitohen produkte që kanë shkallë toksiciteti më të lartë,” shpjegoi Nuro.

“Lindani dhe DDT edhe kur shkatërrohen çojnë në metabolit apo produkte degradimi, njëri prej të cilëve është DDE, që është shumë më i qëndrueshëm si dhe 10-50 herë më toksik se molekula mëmë DDT. Po ashtu, lindani kthehet në derivatet e klor acetik dhe për ta ilustruar ndikimin që ka po përdor shprehjen e një shkencëtari që ka thënë “se që kur u zbulua klori filloi t’i shkurtohej jeta njeriut”, pasi janë gjithmonë agresivë,” shtoi ai.

Sipas Nuros, Lindani dhe DDT-ja janë që të dyja molekula të mëdha, molekula që kanë klore dhe po t’i mbledhim të gjitha, dalin molekula të mëdha pak polare gjë që i bën të treten mirë në yndyrna ku edhe shfaqin probleme.

“Të dyja përdoren si insekticide, por në varësi të sasisë mund të vrasin çdo gjë. Janë jo-selektivë dhe kanë spektër të gjerë veprimi!,” tha ai.

Për kimistin Aurel Nuro, ndonëse nuk mund të përcaktohet se pas sa kohësh mund të japin efekt, është e sigurt që e komplikojnë shëndetin, pasi kjo është edhe arsyeja se përse këto preparate studiohen.

“Janë prokancerogjen shumë efektivë, kanë qëndrueshmëri shumë të lartë, shkaktojnë deformime gjenetike që mund të çojnë në tumore, ndikojnë tek gjëndrat endokrine, shkaktojnë probleme në riprodhim,” shpjegon Nuho.

Sipas Nuros është e paqartë se çfarë sasie lindani mund të shkaktoi sëmundje tumorale.

“Deri më tani nuk dihet as sa është sasia dhe as sa është koha që duhet të ekspozohen. Ka raste kur persona kanë punuar brenda fabrikës së lindanit dhe kanë jetuar më shumë se 90 vite, siç ka raste që persona të tjerë janë ekspozuar në ndotje minimale dhe kanë bërë kancer,” shtoi ai.

Në qershor të vitit 2015, Organizata botërore e Shëndetësisë, lëshoi një njoftim për shtyp sipas të cilës ekspozimet ndaj lindane dhe DDT shkaktojnë kancer. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) e OBSH-së, e klasifikoi lindanin, i cili është përdorur gjerësisht për kontrollin e insekteve, në grupin 1 (pra që ka prova dhe të dhëna të mjaftueshme. Vlerësimi bazohet zakonisht në studime epidemiologjike që tregojnë zhvillimin e kancerit tek njerëzit e ekspozuar), si kancerogjen ndaj njerëzve. Po në të njëjtin njoftim për shtyp IARC e klasifikonte DDT si ndoshta kancerogjen (grupi 2 A) ndaj njerëzve, bazuar në dëshmitë se DDT shkakton kancer në kafshët eksperimentale, por ka dëshmi të kufizuara për ndikimet që ka tek njerëzit.

Sipas njoftimit të OBSH-së, grupi i 26 ekspertëve nga 13 vende të ndryshme, ka arritur në përfundimin këto kimikate janë të lidhur në mënyrë specifike me limfomën non-Hodgkin, kancerin e testikujve dhe kancerin e mëlçisë. Ekspozimi ndaj lindanit mund të rrisë rrezikun e prekjes nga non-Hodgkin me 60%, sipas studimeve të kryera në Kanada dhe në SHBA.

Shahin Kadare, hispatolog onkolog, i cili merret me diagnostikim mikrospik të tumoreve na shpjegon se ndonëse ata janë kancerogjenë të njohur në mbarë botën, në vendin tonë është e vështirë të bësh një studim për efektet që mund të kenë shkaktuar në shëndet.

“Kur isha në fillore, aty nga vitet 50-të, mbaj mend që na vinin në rresht dhe para se të futeshim në shkollë na e bënin kokën me DDT kundër morrave pasi asokohe kishte shumë parazitë,” kujton Kadare.

“Dua të them që në vendin tonë është e vështirë të bësh një studim për të përcaktuar se çfarë efektesh në popullatë, pasi përdorimi i tyre ishte kaq i përgjithshëm, saqë nuk i ka shpëtuar askush. E ndërsa për të bërë një studim dhe efektet e mundshme, duhet të krahasosh një x popullatë që ka qenë e ekspozuar me atë që nuk ka qenë e ekspozuar. Dihet që janë kancerogjenë, por ne nuk kemi studime,” shtoi ai.

Ndonëse teorikisht në Shqipëri ndikimi në mjedis dhe në shëndet i këtyre pesticideve ka qenë i njohur nuk ka pasur një sistem monitorimi ose të mbledhjes së të dhënave për të përcaktuar këtë ndikim.

Një studim i bërë nga UNEP, si dhe në kuadër të një studimi të ISHP në fillim të viteve 2000 në dy mostra të qumështit të lopëve pranë zonës së Porto Romanos kishin prani të beta izomerëve HCH deri në 100 herë më të lartë se sa lejohet në vendet e BE-së. Sipas ekspertëve, qumështi i kësaj zone i cili shitej në qytetin e Durrësit, nuk mund të përdorej për konsum, pasi ishte i rrezikshëm për shëndetin.

Ndotja nga lindani dhe DDT-ja

Panorama që bën profesor Aurel Nuro për ndotjen e tokave nga lindani dhe DDT-ja nuk është aspak optimiste. Sipas tij studimet shpesh kanë zbuluar mbetje të komponimeve kryesore të lindanit dhe DDT-së në shumë zona të Shqipërisë.

“Në të gjitha fshatrat pa përjashtim ka pasur magazina apo depo të grumbullimit të këtyre, një pjesë janë përdorur ndërsa një pjesë thjesht janë shkatërruar dhe pesticidet janë lënë aty,” shpjegon Nuro. “Ata emetojnë nëpërmjet degradimit,” shtoi ai.

Nuro dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dy viteve të fundit janë përfshirë në monitorimin e baseneve ujore për ndotës klor organik, nga ku ka rezultuar se lumi i Semanit dhe Shkumbini janë shumë të ndotur me këto pesticide.

“Bie shiu, i merr pesticidet nga toka dhe i çon në lum, por nga ana tjetër këto lumenj përdoren për të vaditur tokën duke i rifutur prapë pesticidet në tokë, por këtë herë në nivele shumë më të larta sepse ata kanë veti të akumulohen. Dhe kjo ka një cikël shumë të gjatë,” tha Nuro.

Fatbardh Sallaku, dekan i fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shprehet se ndotja nga pesticidet është shumë shqetësuese sepse pak fermerë në vend i bëjnë analizat e tokës.

“Vetëm në Shqipëri ndodh që fermeri investon 100 milionë lekë, ngre një fermë dhe nuk e di se çfarë ka poshtë, pasi kursen 200 euro për analizat e cilësisë së tokës,” tha Sallaku.

“Ai mund të ketë toka të ndotura, mund të ketë ujëra të ndotura… Është njësoj si të ngresh një pallat, pa bërë më parë një studimin gjeologjik të tokës….dhe sigurisht kanë falimentuar,” shtoi ai.

Ndërsa i pëlqen të vërë theksin, se në Universitetin Bujqësor dhe jo pranë AKU, gjendet i vetmi laborator i akredituar dhe i certifikuar nga ndërkombëtarët që kryen të gjitha analizat e tokës dhe të ujit, Sallaku është pesimist për situatën.

“Ministria e Bujqësisë pretendon se ka rreth 350 mijë fermerë, që secili prej tyre ka 5-6 parcela të fragmentuara, pra 4 milionë prona,” tha Sallaku.

“Vitet e fundit ka një interes të shtuar për analizat e tokës, po krahasuar me numrin se pronarëve, numri i atyre që vjen këtu është i pakonsiderueshëm,” shtoi ai.

Sipas tij, ndonëse analiza e cilësisë së tokës nuk është e detyrueshme me ligj në asnjë vend të botës, në shumë raste ajo ka qenë shkaktarja që prodhimet shqiptare janë bllokuar në pikat doganore.

Ndryshe nga dekani i UBT-së, ekspertët e Qendrës së transferimit të teknologjisë bujqësore të Fushë- Krujës (QTTB), qendër e cila pas reformës së vitit 2006-të në institucionet kërkimore shkencore, mblodhi të gjitha drejtoritë rajonale të bujqësisë, janë më optimiste, ndërsa ofrojnë edhe tarifa më të ulëta për të njëjtën analizë.

“Ka filluar të ketë një interes të shtuar, sidomos nga fermerët. Janë ndërgjegjësuar,” thotë Miranda Huta, përgjegjëse e sektorit të laboratorit të tokave.

Sipas saj, në laboratorin e kësaj qendre kryejnë çdo vit rreth 700 analiza programesh të ndryshme, ndërsa rreth 800 mostra shkojnë çdo vit si kërkesa nga subjekte të treta.

Në maj të vitit 2016, ngarkesa të mëdha patatesh nga fermerët e Divjakës dhe zonat përreth, u kthye mbrapsht nga autoritetet italiane pasi nuk plotësonte standardet e kërkuara nga vendet e BE.

“Për patatet dhe tuberët e tjerë, pra zhardhokët, ndalimi i eksportit ka ardhur pasi ata kanë kritere më të forta, duke qenë se “fruti” rritet brenda në tokë, dhe sipërfaqja bujqësore e kësaj zone është në karantinë dhe duhet të monitorohet për 5 vite me radhë,” shpjegoi asokohe ish Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Sipas tij Shqipëria është në përmbyllje të procesit të certifikimit të kritereve karantinore, dhe eksporti do të hapet vetëm pas këtij procesi.

Shpjegimi i Panaritit u kundërshtua nga deputeti i zonës së Divjakës Erion Braçe, që mbante postin e kreut të komisionit të ekonomisë, i cili e akuzoi ministrinë se po lante duart nga përgjegjësitë e saj.

“Justifikimi i ministrit të Bujqësisë me procedurat e BE-së me bllokimin e eksportit të patates janë të papranueshme. Gjatë tre viteve në krye të këtij institucioni duhet të kishte marrë të gjitha masat dhe jo sot fermerët përballen me situatën që kanë ardhur polakët dhe danezët, kanë marrë pataten dhe ua kanë kthyer mbrapsht,” tha ai.

Profesor Sallaku, vesh gjithashtu me përgjegjësi Ministrinë e Bujqësisë për bllokimin  eksportit të patates nga Divjaka.

“Para viteve 90-të në këtë zonë janë përdorur doza të mëdha lindani, i cili ka një qëndrueshmëri shumë të lartë. Kjo nuk është një gjë e paditur për institucionet tona,” tha ai.

“Është e pafalshme që doza të tij janë gjetur edhe sot dhe për mua gishti drejtohet te ministria e Bujqësisë, pasi ajo duhet të garantojë se çfarë ka në tokë,” shtoi Sallaku.

Porto-Romano

Nga të dhënat e ministrisë së Bujqësisë, kulmi i përdorimit të pesticideve në vendin tonë, ka qenë viti 1988 me 16.500 ton, nga të cilat 14.500 tone prodhoheshin në vend, ndërsa pjesa tjetër eksportohej.

Lindani ishte një ndër pesticidet më të përdorura dhe Shqipëria krenohej me prodhimin e tij në vend, në ish fabrikën e kimikateve në Porto Romano. Porto Romano ndodhet vetëm 6.5 km larg qytetit të Durrësit dhe ka qenë një ndër plazhet më të pastra përpara ndërtimit të ndërmarrjes kimike. Në 1978 tek ish kimikja në Durrës erdhën 1500 tonë lindan i importuar, ndërsa në nisi puna për prodhimin e lindanit në vend.

Fisnik Tartari, i cili ka qenë kryeinxhinier në vitet 1980- 1987 i kimikes së Durrësit, që kishte nën hyqëm edhe kimiken në Porto Romano, na tregon se lindani prodhohej në kushte shumë primitive.

“Prodhimi i lindanit më 1984 pas disa provash të dështuara. Sigurisht që ne prodhonim në kushte shumë primitive, me teknologji shumë të vjetër e të amortizuar. Kemi prodhuar rreth 129 tonë në vit që ishte një sasi modeste, dhe për shkak të kushteve ne nuk prodhonim lindan të pastër por hekzakloran dhe nga ekstratimi i tij na dilte 12% lindan,” shpjegon Tartari.

E gjithë zona përreth ish-uzinës së Porto Romanos, ka mbajtur deri para disa vitesh statusin si një nga pikat më të nxehta mjedisore në Shqipëri, dhe një ndër 7 ‘hotspotet’ më të rrezikshme në Evropë. Kjo pasi, ish kimikja që ka funksionuar deri në vitin 1990 la stok 20.000 tonë mbetje toksike në territorin e uzinës, kryesisht lindan dhe krom 6 valent, mbetje të cilat u braktisën dhe u lanë në gjendje të lirë duke kontaminuar çdo gjë në këtë zonë. Në 2011, falë një projekti të Bankës Botërore dhe qeverisë holandeze, të cilët investuan ndër vite në këtë zonë rreth 10 milionë euro, u bë kapsulimi dhe groposja hermetike e afro 50 mijë metër kub mbetje lëndësh helmuese të bikromatit, lindanit dhe squfurit.

Amullia që përfshiu lëvizjen e lirë të shqiptarëve pas vitet 90-të bëri që kjo zonë të popullohej me rreth 3 mijë banorë, të ardhur kryesisht nga krahinat veriore Nikaj-Mërturi, Margegaj apo edhe Mirdita e Puka.

Sot duket sikur problemi me lindanin që ishte në gjendje të lirë është zgjidhur, por banorët anohen se vuajnë pasojat e bashkëjetesës me helmet.

Shpresa Prrenjasi, është nga të paktët vendalie që mund të gjesh në këtë zonë. “ Vajza ime që është 17 vjeçe ka probleme me alergjitë dhe është asmatike. Lëviz me ilaçe në xhep. Mjekët më kanë thënë që është për shkak të ajrit, – na thotë Shpresa.

Sipas saj efektet e ndotjes i kanë ndjerë më shumë të ardhurit nga zonat veriore.

“Unë vetë kam punuar tek ish fabrika e lindanit, por fatmirësisht nuk kam pasur gjë. Ndoshta ngaqë edhe lindur e rritur këtu dhe si të thuash isha mësuar, por ata që erdhën nga veriu kanë ikur shumë shpejt. Sëmureshin shpejt dhe ka pasur plot raste vdekjesh në moshë të re,” shpjegoi ajo.

Fanja ka një dyqan të vogël në qendër Porto- Romanos. Ndonëse e rezervuar në fjalë, ajo thotë se erdhi nga Margegaj shumë vite më parë me shpresën për një jetë më mirë, por ndotja i ka shkaktuar probleme me shëndetin.

“[Edha] për të hequr barrën e dryve nga shpina, por mora një barrë me sëmundje,” tha ajo.

Ish superfosfati Laç

Me një sipërfaqe më shumë se 38 hektarë, sipas një studimi të bërë nga PNUD, ish superfosfati ka trashëguar si mbetje stok pas ndërprerjes së aktivitetit në 1990 rreth: 200 tone florsilikatnatriumi (Na2SiF6,) 40 ton asbest, 50 tone vanadium pentaoxide (V2O5), 300.000 ton mbetje (përfshirë radioaktive), 2000 ton pirit (FeS2), etj. Për shkak se ndotja po përhapet përreth PNUD sugjeroi ndërhyrje emergjente, dhe kostoja e rehabilitimit të kësaj zone do të kushtonte 16.7 mln euro.

Por përveç këtij rekomandimi të PNUD askush nuk ka bërë asnjë lloj ndërhyrje. I braktisur totalisht, në fakt ish gjiganti i supefosfatit në vendin tonë, vazhdon të helmojë të gjithë zonën përreth.

Ambientet e rrënuara të ish superfosfatit, të harruara nga të gjitha qeveritë, në fakt janë kthyer në një burim të rrezikshëm të ardhurash për banorët përreth.

“Po gërmoj për tulla zjarrduruese, me të cilat dikur kanë qenë veshur furrat e prodhimit të ish superfosfatit ,” shpjegoi Arbeni një banor i zonës.  “I pastrojmë dhe ua shesim furrave të bukës për 1 mijë lekë (të vjetra). Punë nuk kemi, kështu që vij e gërmoj këtu mos gjej ndonjë gjë,” shtoi ai.

Pyetjes nëse e dinte që ata tulla janë të kontaminuara, ai iu përgjigj se banorët i përdornin edhe në shtëpitë e tyre.

“Po ne me to kemi ndërtuar edhe shtëpitë tona. I morëm kur u shkatërrua uzina në 90-ën,” tha ai.

Arbeni nuk është i vetmi që e siguron jetën duke gërmuar në mbetjet e kontaminuara të ish superfosfatit. Plot burra të zonës, por edhe gra, së bashku me fëmijët gërmojnë për hekur ose mes mbetjeve të uzinës së bakrit.

I lënë të degradojë në gjendje të lirë, efektet e ndotjes i kanë kaluar kufijtë e një rrethi të vogël. Bardhok Leka, banon në fshatin Shullaz, që ndodhet përballë me ish superfosfatin, shpjegon që për shkak të fabrikës ujërat nëntokësorë janë ndotur.

“Edhe pas 27 vitesh ujin e kemi të papijshëm, pasi na del me acid. Unë e kam gërmuar pusin 45 metra, i kemi bërë analizat dhe sërish na del me përmbajtje të lartë acidi,” tha Bardhoku.

“Jemi 80 familje që ujin e pijshëm e mbushim me karrocë te stacioni i Trenit. Madje ka pasur disa familje, që edhe tokën që e kanë mbjellë e kanë blerë diku tjetër, pasi dheu i tyre ishte i ndotur nga Uzina,” tregon ai.

Bardhoku  thotë se për ndotjen nga ish superfostfati kanë vënë në dijeni të gjithë institucionet por askush nuk ka reaguar.

“Dikur ka pasur një kanal kullues që të gjitha mbetjet që kullonin nga aktiviteti i superfosfatit i mblidhte dhe i derdhte në det. Tani ky kanali është bllokuar dhe për shkak se helmet janë në sipërfaqe, kur bie shi, ata kullojnë në tokë dhe na kanë helmuar çdo gjë,” tha ia, duke shtuar që sigurisht “e di që është i ndotur e nuk bën dhe ne nuk e pimë, por ama për t’u larë, për bimët, për kafshët dhe për tokën e përdorim.”

Për sa i përket ndikimit në shëndetin e popullatës, BIRN u interesuar pranë departamentit të mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik, i cili u shpreh që edhe pse ishte në dijeni të problematikës nuk kishe ndërmarrë akoma ndonjë monitorim në zonat e sipërpërmendura.

“ISHP nuk ka bërë ndonjë monitorim të situatës në këto zona, por as edhe një institucion shtetëror apo qeveritar nuk ka kërkuar kurrë një skanim të situatës për shkak të mbetjeve të trashëguara.”

Zgjidhja e vështirë

Aktivisti mjedisor Sazan Guri, i cili ka qenë pjesë e një studimi të PNUD, që identifikoi 35 zonat problematike mjedisore në vend, thotë se qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë në mënyrë urgjente.

“Shqipëria trashëgoi 35 zona të nxehta mjedisore, disa prej tyre janë rehabilituar si Lindani në Porto-Romano është kapsuluar dhe groposur. E njëjta skemë është përdorur edhe për arsenikun ën Fier, edhe zhiva në portin e Vlorës, e katërta është në Rubik, e pesta është në Bajzë që është pastruar,” tha Guri.

“Për 15 hotspote të tjera mjedisore, janë studimet e gatshme nga PNUD se për çfarë ndërhyrjesh kanë nevojë, sa është kostoja dhe si duhen bërë … por janë edhe 15 hotspote të tjera që janë të paprekura, as në fazë projektuese, as në fazë studimore, as në fazë fizibiliteti,” shtoi ai.

Sipas Gurit përveç atyre 5 hotspoteve që janë rehabilituar, të 30 pikat e tjera (15 të studiuara dhe 15 të pastudiuara ende) janë një kërcënim serioz, jo vetëm për banorët e këtyre zonave por për të gjithë popullsinë e vendit, pasi nëpërmjet shirave mbetjet e rrezikshme kullojnë, lëvizin nëpërmjet erës dhe rrymave të ajrit.

“Nuk e ekzagjeroj nëse them se rreth 2 milionë shqiptarë preken direkt apo inderekt nga ndikimi që këto hotspote kanë në shëndet,” tha ai.

Guri jep shembullin e tokave bujqësore pranë ish uzinës së baterive në Berat, të dhënat e së cilës nuk ka logjikë t’i shpjegojë përpos ndotjes.

“Unë besoj tek lidhja e ndotjes së mjedisit me shëndetin, ndaj është detyrë e shtetit të ndërhyjë për të minimizuar efektet që këto mbetje historike kanë. Është absurde që ata të kenë ndikim konkret dhe real edhe pas 27 vjetësh,” përfundoi ai.

Por pastrimi i hotspoteve mjedisore nuk është një sipërmarrje e lehtë. Kimisti Aurel Nuro, sugjeron se zgjidhja kërkon vullnet institucional.

“Nëse flasim për zonën e Roskovecit, apo për zonën e Myzeqesë, apo për një zonë që ka pasur depozitime që thjesht janë lënë në mëshirë të fatit dhe nga eksperienca e dimë që janë lënë, aty është e vështirë të përcaktohet se kur mund të pastrohet,” shpjegoi ai.

Përpjekjet e institucioneve në këtë drejtim janë në hapat e para.

Valbon Braimllari, drejtor i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) , thotë se qeveria kanë nisur një projekt për pastrimin e sipërfaqeve të tokave përreth veprave të rëndësishme industriale të kohës së regjimit komunist.

Sipas Braimllarit projekti financohet nga ministria e Bujqësisë dhe ka për qëllim të evidentojë të gjitha problematikat që u kanë dalë këtyre tokave..

“Grupi i ekspertëve do të nxjerrë konkluzione se çfarë kanë më tepër: plumb, magnez, hekur, zink , si është sipërfaqja e tyre dhe çfarë politikash duhen të ndërmerren,” shtoi Braimllari, i cili sqaron se projekti është kryesisht i fokusuar tek ish superfosfati në Laç, metalurgjiku në Elbasan dhe në Rubik.

Sipas tij “duke qenë se këto toka përmbajë metale të rënda dhe shpërbërja e tyre varion nga dhjetëra deri në 20-vjeçarë, mendojmë që krahasuar me tokat e tjera paraqesin një rrezikshmëri më të lartë dhe duhen politika të veçanta”.

Pedagogu Fatbardh Sallaku, mbetet skeptik për politikat e ministrisë së Bujqësisë në këtë fushë.

“Studimi i fundit për tokën bujqësore në Shqipëri është bërë para 40 vjetësh, nga viti 1978 deri më 1981. Sistemi aktual i taksave bëhet ende në bazë të këtij skanimi, por nga ’81 deri në 2017 kjo tokë ka mbetur në të njëjtën cilësi?” pyet ai.

Sipas Sallakut institucionet janë shumë të vonuara dhe është emergjente që të bëhet një  hartë e detajuar e 500 mijë hektarë tokë bujqësore. Vetëm pas monitorimit të tokës bujqësore ekspertët mund të japin zgjidhje për pastrimin e saj nga pesticidet e rrezikshme si Lindani dhe DTT-ja.

“Ta zëmë: nëse toka është shumë e pastër mbillet sallata, spinaqi, pasi këto produkte vijnë direkt tek ne, pa kaluar asnjë lloj procesi më parë. Nëse toka është pak e ndotur atëherë ne sugjerojmë grurë, pasi ai duhet të kalojë disa procese deri sa të vijë në tryezë (bluarja, bëhet miell, pastaj bukë), nëse është akoma më e ndotur ne mbjellim misër, pasi ai do të shkojë njëherë tek bagëtitë, tek qumështi pastaj tek ne,” shpjegoi Sallaku.

“Sigurisht që nuk sugjerohet të mbillen perime në Elbasan, sallatë në Elbasan pasi konsiderohet shumë i ndotur,” shtoi ai.

Edhe profesor Nuro nënvizon se përpara se të ndërhyhet, duhet të studiohen dhe identifikohen vatrat kryesore të Lindanit dhe DTT-së.

“Duhet bërë një inventar shumë i mirë i të gjitha ish depove që kanë pasur të magazinuar këto insekticide. Të çohen njerëzit në çdo zonë, të mund të gjendet burimi, të bëhen edhe analizat, të merren mostrat dhe të bëhen verifikime. Sigurisht që numri i mostrave do të jetë shumë i madh, por nëse duam të dimë se si e kemi tokën, kjo është e vetmja zgjidhje,” tha ai.

“Pastaj duhen marrë në konsideratë ekspertët që këshillojnë se me çfarë kulturash mund të mbillet,” shtoi Nuro.

Në këtë situatë, duket se jo vetëm ata që merren me tokën bujqësore, por edhe konsumatorët janë lënë vetëm. Patatja e Divjakës është ndaluar të eksportohet në tregjet e BE, për shkakun se Shqipëria, nuk ka mundur të japë garanci, nëpërmjet analizave të certifikuara, për sigurinë e këtij produkti dhe tokat e kësaj zone janë ende në karantinë, por tregjet në Shqipëri janë mbushur plot me patate Divjake.

Në këtë amulli, ata që duan të punojnë me produktet bujqësore, duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen e këtij problemi. Sokol Stafa, i cili ka një kompani (Albinspekt) që merret me certifikimin e produkteve bio, thotë se në Shqipëria nuk mund të bëjë dot analizat për mbetjet kimike që ka një produkt, ndaj ata janë të detyruar t’i kryejnë jashtë vendit me kosto shumë më të larta.

“AKU bën vetëm analizat fitosanitare, që janë praktikat si është rritur bima dhe se çfarë është përdorur mbi këtë bimë, por kjo analizë nuk zbulon se çfarë mbetje mund të ketë lënë …por analiza që zbulon se sa është niveli i mbetjeve është analizë shumë e rëndësishme, ndaj ne i bëjmë në laboratorët jashtë vendit,” tha ai.

Sipas Stafës në produktet shqiptare shpesh kanë rezultuar mbetje të pesticideve me lindan dhe DDT të përdorura në kohën e komunizmit, sidomos në zonat ish kënetore si në Maliq dhe Lushnjë.

“Na kanë rezultuar mbetje te patatja sidomos, panxhari i sheqerit, etj në sasi jo shumë të mëdha, por penalizimi në këtë rast për eksportin është se niveli i mbetjes është më i madh se MRL që është masa e lejuar e mbetjes dhe ka pasur raste që e na ka dalë,” tha ai.

“Kur qeveria bën ata hartat e bukura se çfarë do mbjellim këtu apo çfarë do të subvencionojmë atje, duhet të marrë parasysh edhe këto probleme që janë në tokë,” përfundoi Stafa.

Pyetjes së BIRN nëse në AKU bëhen analiza të mbetjeve që lënë pesticidet, Autoriteti Kombëtar i pranon se këto analiza nuk mund  të kryhen  pranë laboratorëve të tyre, ndaj ata i delegojnë për ekzaminim pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

“Planit për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore, në produktet: mollë, rrush  tavoline, domate, spec, kastravec, miell (misri, gruri), karota, patate, spinaq dhe sallatë jeshile  për  vitin 2017,  të gjitha mostrat e marra nga AKU analizohen në Institutin e Sigurisë ushqimore dhe veterinarisë (ISUV),”  sqaron zyrtarisht AKU.

BIRN

SHKARKO APP