Pezullimi i transportit publik, Bashkia e Tiranës sqaron se cilat janë linjat që “paralizohen”
Lajmin e pezullimit të transportit publik në Tiranë e dha më herët në një intervistë kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Menjëherë pas kësaj deklarate është publikuar i detajuar vendimi i këtij institucioni në lidhje me pezullimin e linjave urbane për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Njoftimi i Bashkisë Tiranë
“Në vijim të planit të masave mbrojtëse në qytetin e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se nga dita e enjte, datë 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.
Për sa më sipër, prej orës 05:00 të ditës së nesërme, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:
– Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Tiranës);
– Shërbimi i transportit rrethqytetas (linjat që lidhin qytetin e Tiranës me ish njësitë administrative/ komunat);
– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës).
Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masën e pezullimit të përkohshëm të këtyre shërbimeve të transportit, por gjykon se masa është e domosdoshme për të rritur efiçencën e sistemit të mbrojtjes ndaj përhapjes së mëtejshme të virusit”.