Pirateria televizive, Ledion Liço: Është vjedhje e pastër, njësoj sikur po vjedh një makinë
Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë na ka ekspozuar ndaj rreziqeve të reja, për të cilat ende nuk kemi mundur të mbrohemi. E tillë është pirateria televizive. Tashmë, përmes internetit, operatorë të shumtë arrijnë të transmetojnë programe të ndryshme televizive, ndeshje sportive, filma, dokumentarë e shumë të tjera duke shkelur të drejtën e autorit. Pra, një aktivitet mjaft fitimprurës mbi punën, kostot dhe prodhimet e të tjerëve.
“Pirateria është vjedhje, vjedhje e pastër, njësoj sikur të jesh duke vjedhur një makinë je duke vjedhur një program televiziv. Eventualisht nëse vjedhim të gjitha makinat burgjet mbushen plot por nëse vjedhim TV dhe prodhuesit e filmave burgjet nuk do te jene plot, por nuk do të ketë më as njerëz që bëjnë televizion të mirë apo filma të mirë se në fund të ditës për çfarë?”, u shpreh producenti dhe drejtori artistik i TCH, Ledion Liço. “Pirateria vjen si pasojë e tejkalimit të mënyrave të pagesës, besoj nga shtimi i shërbimeve në internet me të drejtë çdo përdorues duhet të paguajë çdo shërbim që e merr online, njerëzit gjejnë aplikacione, truke, mënyra për të shmangur pagesat”, tha eksperti i IT, Edmond Liçaj.
Pirateria është ulur këmbëkryq sot në familjet shqiptare në mjaft forma. Ajo cënon privatësinë, por edhe rrezikon hakerimin e të dhënave të kartave bankare pas blerjeve online. Në shumicën e rasteve pirateria në internet bëhet nëpërmjet grupeve anonimë të cilët është e vështirë ti gjurmosh. Nga ana tjetër edhe pagesat bëhen në shumë forma. Ata që merren me piraterinë janë bërë gjithnjë e më të sofistikuar duke gjetur mënyra të reja se sitë vjedhin programe televizive. “Nëse flasim për pirateri në shërbimet mund t’i marrim nga një kanal rus apo amerikan, nuk ka kufi në aspektin e teknologjisë. Pirateria është zhvilluar në kuadrin e zhvillimit të madh dixhital në botë, kryesisht kryhet online që ka edhe masën më të madhe të piraterisë”, shtoi Edmond Liçaj. /TCH/