Pjesa e dytë e emisionit investigativ Report, në RAI3

Pjesa e dytë e emisionit investigativ Report, që provokoi polemika të forta me kryeministrin shqiptar Edi Rama sjell këtë të dielë në Raitre një dëshmi tjetër të ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj. Nga sa ka zbuluar gazetari Xhorxhio Motola në një pjesë të tekstit të tij, Arben Ahmetaj citohet të ketë thënë “Rama i takon shefat e mafias në zyrën e tij në kryeministri. I kam parë vetë”.

Shkrimi i plotë i publikuar nga Il Fatto Quotidiano

Nga Giorgio Mottola

Për të Giorgia Meloni është e gatshme të vendosë dorën në zjarr. “Më ndihmoni të solidarizohem me Edi Ramën për linçimin që pësoi vetëm duke u përpjekur të ndihmojë kombin tonë”, tha ajo në një konferencë prillin e kaluar pas episodit të “Report”për marrëveshjen për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë.

Giorgia është e bindur se akuzat për bashkëpunim e Ramës me mafian shqiptare janë propagandë e pastër. Por, kryeministrja nuk duhet ta vërë dorën në zjarr, sepse rrezikon t’i digjet.

Në hetimin “Fshati shqiptar” të cilin “Report” do ta transmetoje sonte, ne kemi dëshminë e ish-zëvendëskryeministrit shqiptar, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës në tre qeveri.

Një vit e gjysmë më parë ndaj tij u paralajmërua urdhër-arresti për korrupsion, në një hetim për inceneratorët që bënë gjysmën e qeverisë, të dridhej. Për të shmangur burgun, Ahmetaj u arratis në Zvicër dhe nga “i besuar i Ramës”, tashmë është një nga akuzuesit e tij më të fortë. Ahmetaj zbuloi rolin thelbësor të mafias në ekonominë dhe politikën shqiptare: “Grupet kriminale marrin kontrata, pastrojnë paratë në Shqipëri në ndërtim. Ata koordinohen me Edi Ramën”.

Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit të arratisur, Rama ka marrëdhënie direkte me krerët e klanit: “Kam takuar shefa të mafies në zyrën e tij në godinën e qeverisë, i kam parë”. Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet ndërmjetësohen nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, një biznesmen, në sektorin e cigareve dhe djali i një ish-deputeti të fuqishëm socialist.

Në intervistën e gjatë për “Report”, Rama hedh poshtë akuzat duke e cilësuar ish-krahun e tij të djathtë si “jo të besueshëm”:

“Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e prekur nga mafia”. Mirëpo pak kohë më parë, pikërisht në zyrën e Ramës u zhvillua një mbledhje, nga e cila “Report” mund t’i tregojë fotot dhe ku mori pjesë Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga ricikluesit kryesorë të “Kartelit Sinaloa”. Dy muaj pas bisedës me kryeministrin shqiptar, biznesmeni mori licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë. “E pashë vetëm një herë. Kurrë më!”, është mbrojtja e Ramës. Shqipëria nuk është tokë e lakmuar vetëm për klanet mafioze shqiptare.

Vitet e fundit, shumë sipërmarrës italianë kërkuan fatin përtej Adriatikut. Mes tyre edhe Massimo D’Alema. “Report” zbuloi se vitin e kaluar ish-kryeministri hapi një firmë lobimi A&I në Tiranë, ku deri pak muaj më parë kompanitë e reja nuk paguanin asnjë taksë.

“Në Shqipëri merren me kriptovaluta”, thotë Ahmetaj. I pyetur nga Report, D’Alema e mohon. Në Tiranë, megjithatë, në vitin 2019 hapi dyert “Consulcesi Tech”, një kompani që inauguroi një fond të specializuar për investime në kriptovaluta në Maltë.

“Consulcesi” i referohet Massimo Tortorella, ish-partner i D’Alemës në kantinën e tij. Në vitin 2019, D’Alema dhe Rama pagëzuan së bashku fillimin e aktiviteteve në Tiranë nga Consulcesi Tech, duke marrë pjesë në një konferencë për “Blockchain”.

SHKARKO APP