PL kërkon interpelancë me ministrin Malaj: Çfarë masash do të merrni për të ulur çmimet e ushqimeve dhe karburantit?
Partia e Lirisë kërkon që ministri i Financave, Petrit Malaj të japë llogari në Kuvend për çmimet e larta të ushqimeve dhe karburanteve dhe masat që qeveria parashikon për të lehtësuar kostot për familjet. Kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi ka kërkuar interpelancë me ministrin, duke argumentuar se çmimet e ushqimeve në Shqipëri po rriten më shpejt se në vendet e Bashkimit Europian.
“Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, në muajin korrik çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën rreth 3.2%, kundrejt vetëm 0.6% në Bashkimin Europian. Ushqimet në Shqipëri po shtrenjtohen më shumë se pesë herë më shpejt se mesatarja europiane”, thuhet në kërkesë. Në kërkesën për interpelancë, Partia e Lirisë ngre si problem edhe taksat mbi ushqimet dhe karburantet. “Është e pashpjegueshme që Shqipëria vijon të aplikojë TVSH 20% mbi produktet bazë të konsumit, ndërkohë që barra fiskale mbi karburantet mbetet ndër faktorët kryesorë të çmimit final, duke arritur në rreth 60% të çmimit të karburantit”, thotë PL.
Blushi bën edhe krahasimin me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, për ushqimet bazë Maqedonia e Veriut aplikon 5% TVSH, Mali i Zi 7%, Kosova 8% dhe Serbia 10%, ndërsa në Shqipëria 20%. Diferenca, sipas PL-së, shihet edhe te karburantet. “Në Shqipëri, qytetari paguan rreth 2.4 euro për litër naftë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut çmimi është rreth 1.59 euro për litër. Diferenca është rreth 41%”, thotë Blushi.
Në kërkesë sillet si shembull edhe Greqia, ku qeveria ka prezantuar një paketë prej rreth 3.5 miliardë eurosh për të rritur të ardhurat dhe për të lehtësuar koston e jetesës. Partia e Lirisë kërkon që qeveria të ulë TVSH-në për shportën bazë të ushqimeve nga 20 në 5% dhe të pezullojë Taksën e Qarkullimit dhe Taksën e Karbonit për karburantet. “Partia e Lirisë ka propozuar konkretisht pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, si dhe uljen e TVSH-së për shportën bazë të konsumit nga 20% në 5%”, thuhet në kërkesë.
Përmes 16 pyetjeve drejtuar ministrit Petrit Malaj, Blushi kërkon të dijë nëse qeveria do të marrë masa për uljen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, si dhe nëse ka një plan konkret për rritjen e pagave dhe pensioneve.
KOHA JONË SONDAZH

