Plagoset polici gjatë natës në Tiranë. Kush ishte shënjestër e atentatit, ngjarja për prishjen e pazareve të drogës
Një polic në Shkozë është plagosur me armë gjatë natës ndërsa ndodhej jashtë shërbimit.
A. Kumaraku është transportuar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, 30-vjeçari është plagosur në këmbë.
A. Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij, i shoqëruar nga një fqinj, një person me masë në “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje. Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht fqinji i efektivit, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë lidhje me prishje pazare droge me persona të tjerë.
Ende nuk dihet pse efektivi ishte në shoqërinë e këtij personi, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” dhe në momentin e ngjarjes kishte shkelur vendimin e gjykatës. Ndërkohë, Kumaraku nuk e kishte njoftuar policinë për thyerjen e masës së sigurisë nga ana e fqinjit.
Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

