Plagosje me thikë pas sherrit mes dy të rinjve në Astir, ndërron jetë 34-vjeçari

Një sherr i rëndë ka ndodhur mes dy të rinjve në Astir, Tiranë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një 34-vjeçar.

Autori, 25-vjeçari D. K., është arrestuar nga policia dhe forcat “Shqiponja”, pas ngjarjes së ndodhur në Unazën e Re, rreth orës 18:45.

I plagosuri, A. H., është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por mësohet nga policia se ka ndërruar jetë.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se në Unazë të Re, sot rreth orës 18:45, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës, një 34-vjeçar, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale shtetasi D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi D. K., për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ku në Unazë të Re, është plagosur me mjet prerës shtetasi A. H., ju informojmë se ky shtetas si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor po punon për arrestimin e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

SHKARKO APP