Plehrat bëhet shkak për sherrin Prefekturë-Bashki në Shkodër
Në Shkodrën e kulturës dhe pastërtisë, ka plasur një ”sherr” për plehrat, pasi vendi po përballet me një situatë kaotike në pastrimin e qytetit.
Pirgje mbeturinash shfaqen në të gjitha rrugët e kryeqendrës së veriut. Prefektja e Shkodrës, ish-kandidatja e PS-së për kryetare, Majlinda Angoni i ka kërkuar bashkisë që të marrë masa të menjëhershme.
Në këtë situatë të paprecedentë, Bashkisë së Shkodrës i është lënë afat 24 orë për zgjidhjen e problemit, e cila vjen në kulmin e sezonit turistik.
Bashkia e Shkodrës e cila drejtohet nga Bardh Spahia i Partisë Demokratike, pranon se shkak për këtë situatë është bërë përfundimi i kontratës me firmën e pastrimit, ndërsa pritet zgjidhja deri në lidhjen e një kontrate të re për menaxhimin e mbetjeve urbane.