“Po goditet puna e ndershme”, Balla reagon ndaj sulmeve në rrjet
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me sulmet në internet ndaj bizneseve turistike, duke i cilësuar ato si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e vendit.
Gjatë një takimi me sipërmarrësit e kompanisë së mobilerisë “Simaku” në Kavajë, Balla u shpreh se pas dështimit të përpjekjeve për të cenuar reputacionin e Shqipërisë përmes protestave, tashmë sipas tij po synohen drejtpërdrejt bizneset që operojnë në sektorin e turizmit.
Ai deklaroi se sulmet online ndaj hoteleve, bujtinave, restoranteve dhe destinacioneve turistike ndikojnë jo vetëm te subjektet private, por edhe te ekonomia e vendit dhe puna e mijëra shqiptarëve që janë të angazhuar në këtë sektor.
Sipas Ballës, dëmtimi i perceptimit të turistëve për Shqipërinë prek drejtpërdrejt sipërmarrjet që ofrojnë shërbime për vizitorët vendas dhe të huaj. Ai theksoi se imazhi i vendit ndërtohet edhe nga përvoja që turistët marrin gjatë qëndrimit të tyre në bizneset shqiptare.
“Kur nuk u arrit të dëmtohej imazhi i Shqipërisë përmes protestave, tani po tentohet një mënyrë tjetër përmes sulmeve në rrjet”, u shpreh Balla, duke shtuar se goditja ndaj turizmit është një goditje ndaj ekonomisë dhe vendeve të punës.
Në vijim të deklaratave të tij, Balla bëri të ditur se qeveria ka zhvilluar komunikime me drejtues të kompanisë “Google” për të informuar lidhur me atë që e cilësoi një sulm kibernetik ndaj bizneseve shqiptare.
Ai shtoi se nuk duhet që konfliktet politike apo qëndrimet e ndryshme të përdoren si arsye për të dëmtuar aktivitetin ekonomik të një biznesi. Sipas tij, bizneset turistike dhe sipërmarrësit duhet të mbrohen, pasi ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe të imazhit të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

