Po transportonte 4 emigrantë drejt Malit të Zi, arrestohet 24-vjeçari në Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “On the way”.
Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari nga Shkodra i cili tentoi t’i jepte ndihmë 4 shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas asaj që njofton Policia e Shkodrës, nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Shkodër dhe Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në zbatim të planit të masave “Për goditjen dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm”, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “On the way”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit S. M., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas është kapur në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, duke transportuar me një mjet tip “Benz”, 4 shtetas nga vendet e treta, drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.