Pogradec, punonjësi i bashkisë plagoset në luftë me flakët
Një punonjës i Bashkisë së Pogradecit ka mbetur i plagosur pasditen e së martës në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë një masiv me shkurre në fshatin Pojskë.
Punonjësi është plagosur si pasojë e shpërthimit të një mjeti shpërthyes i cili ende nuk është identifikuar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, një vatër zjarri është shënuar në orët e padites së të martës në Malin e Dajtit. Flakët, të ndihmuara nga era, kanë përparuar me shpejtësi drejt majës së malit, duke rrezikuar edhe një objekt të rëndësisë së veçantë. Në pamundësi për ndërhyrjen e zjarrfikësve për shkak të terrenit, u angazhua menjëherë një helikopter që ka bërë të mundur lokalizmin e flakëve dhe vënien nën kontroll.

