Zjarret në Peqin, përfshihen rreth 20 hektarë ullishte dhe pemëtore. Dy helikopterë në luftë me flakët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Galushit dhe Gjevrutës, në Njësinë Administrative Përparim, në bashkinë Peqin, duke djegur rreth 20 hektarë ullishte, pemëtore dhe sipërfaqe me shkurre. Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe situata mbetet e vështirë për t’u menaxhuar. Era dhe terreni i thyer kanë favorizuar përhapjen e zjarrit dhe kanë vështirësuar ndjeshëm punën e ekipeve në terren.

Dhjetëra forca zjarrfikëse dhe mjete nga Peqini, por edhe nga bashkitë përreth, janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve. Në ndihmë të ekipeve tokësore kanë mbërritur edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri në zonat më të vështira për t’u aksesuar. Vëmendja kryesore e strukturave të emergjencës është përqendruar te mbrojtja e banesave dhe banorëve, pasi zjarri ndodhet pranë zonave të banuara.

Ekipet zjarrfikëse po punojnë për izolimin e vatrave dhe krijimin e barrierave, me synim ndalimin e avancimit të flakëve drejt banesave. Ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon pa ndërprerje, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi nga strukturat e emergjencave.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?