Pojana: Tahiri, “mercenar” i flakur i një lufte që e filloi për Edi Ramën e që do t’i japë fund të dyve

Të shumta kanë qenë reagimet mbi deklaratat e ish-Ministrit të Brendshëm Tahiri në konferencën e ditës së djeshme. Reagimi i radhës ka ardhur nga Nënkryetari i LRI-së dhe njëkohësisht anëtar i Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana.

Nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook, Pojana shprehet se Saimir Tahiri dje dështoi me sukses të ripërtërijë pozitivisht qoftë dhe mendimin e një simpatizanti të tij të ethshëm. 

Gjithashtu Pojana nuk lë pa përmendur edhe kryeministrin Rama ku shkruan se ai qeveris me gjithçka i duhet një diktatori për të realizuar objektivat e tij, por dhe ai vetë e di që ne jetojmë në një kohë kur e pamundura bëhet e mundur sa hap e mbyll sytë dhe fundi i tij politik e jo vetëm, mund të vijë nga momenti në moment.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ndoshta skenari se fundi i këtij pushteti do të vijë nga brenda, paçka se ka shumë gjasa, mund të mos ndodhë kurrë, por kjo nuk ndalon askënd që dëshiron vërtetë të jetojë i lirë e i lumtur në tokën që Zoti i bëri hak, të reagoj dhe të mos lejojë që në Shqipëri të vritet demokracia.”- e mbyll Nënkryetari i LRI-së statusin e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më poshtë statusi i plotë i Pojanës:

Një ditë pas asaj që në mënyrë absurde është quajtur si ‘festa’ e ‘Halloween’, u shfaq në mënyrë po kaq absurde një ‘fantazëm’ e politikës shqiptare.

Foli shumë, por nuk tha asgjë dhe më e keqja qëndron tek fakti se me atë ç’ka zgjodhi të fliste, tregoi më shumë për veten se për të tjerët.

I zhytur thellë në batakun e llumit që vetë ka gatuar, me një zë që nuk tremb më askënd, Saimir Tahiri dështoi me sukses të ripërtërijë pozitivisht qoftë dhe mendimin e një simpatizanti të tij të ethshëm.

Xhongloi me qindra fjalë e prapë nuk mundi të artikulonte asnjë të vërtetë, kjo sepse ai çdo ditë e më tepër fakton atë që në fakt është e vërteta e madhe e kësaj historie, Saimir Tahiri ishte thjeshtë ‘mercenar’, i përdorur brutalisht për 1001 të zeza dhe sot, ai është një ‘mercenar’ i flakur, ‘mercenar’ i një lufte që e filloi për Edi Ramën dhe e cila do ti japë fund të dyve bashkë.

Unë kurrë nuk kam pritur që ‘Ai’ që e kanabizoi Shqipërinë duke zbatuar me përpikmëri një projekt politik të ‘Rilindjes’, ‘Ai’ që uli në tavolinën e Kryeministrit të Shqipërisë të gjithë bandat e banditët e vendit, ‘Ai’ që udhëhiqte në terren blerjen e votave në zgjedhje e sa e sa ‘porosi’ të tjera kriminale të Edi Ramës, të dilte dje dhe të tregonte se nga kush i kishte marrë këto porosi e aq më tepër të thoshte se ai ishte tani me një peng, peng i atij që i shërbeu me aq devotshmëri.

E megjithatë, Saimir Tahiri nuk duhet trajtuar si një peng i çfarëdoshëm.

Ai së pari jo vetëm ka bërë shumë, por edhe di shumë.

Dikur përfaqësonte modelin e një të riu që bënte opozitë pa ekuivok.Talenti i tij politik spikati herët, ndaj sot ai nuk përballet vetëm me një mal akuzash me peshë morale dhe penale, por dhe me diçka që e rëndon më shumë se gjithçka tjetër.

Ai sot ka përballë egon e tij, e cila i tregon se çfarë ka humbur duke u kthyer në një marionetë dhe i kujton ëndrrën për të qenë një ditë në krye të PS, ëndërr që në fakt ka kohë, shumë kohë që gjendet në vdekje klinike e që është vetë Saimir Tahiri ai që refuzon me çdo çmim ta shkëpusë këtë ëndërr nga aparaturat që thjeshtë i japin disa ditë më shumë.

Edi Rama, njeriu i cili qëndron prapa kuintave, është sot më i fuqishëm se kurrë, ai qeveris me gjithçka i duhet një diktatori për të realizuar objektivat e tij, por dhe ai vetë e di që ne jetojmë në një kohë kur e pamundura bëhet e mundur sa hap e mbyll sytë dhe fundi i tij politik e jo vetëm, mund të vijë nga momenti në moment.

Mjafton një rreze drite në fund të tunelit dhe revolta e një populli të shkelur do të shtypë gjithçka që sot i ngjan një pushteti absolut për ti lënë vendin një gërmadhe.

Ndoshta skenari se fundi i këtij pushteti do të vijë nga brenda, paçka se ka shumë gjasa, mund të mos ndodhë kurrë, por kjo nuk ndalon askënd që dëshiron vërtetë të jetojë i lirë e i lumtur në tokën që Zoti i bëri hak, të reagoj dhe të mos lejojë që në Shqipëri të vritet demokracia.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?