Polemika mes drejtorit të doganave dhe pronarit të mediave kryesore në vend
Drejtori i Doganave, Genti Gazheli, ditën e djeshme deklaroi se po sulmohet nga një pronar mediash, pasi kompania e këtij të fundit është gjobitur për evazion. Gazheli ka publikuar emrin e tij dhe bëhet fjalë për Irfan Hysenbelliun, pronarin e News24, Panorama dhe Balkanweb, të cilin ai e akuzon si shantazhues, duke thënë se sulmet vijnë pas vendosjes së një gjobe ndaj biznesit të Hysenbelliut. Gazheli i konsideron akuzat e kësaj media, shpifje dhe fyerje personale dhe thotë se do të informojë trupin diplomatik dhe organizatat e mediave.
Kryeministri Edi Rama thotë se Dogana Shqiptare mundet dhe duhet që të bëjë sqarimet e saja zyrtare. ”Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion”,-shkruan Rama në Twitter.
Media ”News” 24 publikoi një investigim mbi emërimet në doganën shqiptare të personave të dënuar në Greqi për vjedhje, grabitje, kontrabandë e grup kriminal, si dhe dokumente që implikojnë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave.
Postimi i plotë nga Edi Rama në Twitter
Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet. Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi.
Madje unë s’fola thjesht për këtë grup mediatik që nxjerr “fakte” të 2016-ës, pasi pronari i tij gjobitet për fshehje të konsiderueshme të ardhurash në biznesin e tij. Po fola për të gjitha mediat, sepse kjo liria e medias pa të drejtë replike për ato vetë mban erë të keqe shumë.
Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion.
Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi? Më duket e çuditshme.
Reagimi i plotë nga News24:
“Prej 2 ditësh News24 dhe BalkanWeb po publikojnë disa dokumente që implikojnë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Genti Gazheli në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave. Kemi publikuar dokumente autentikë të vendimeve të gjykatave greke për drejtorin e hetimit në Drejtorinë e doganave Artur Sejati, si dhe për 3 zyrtarë të tjerë të lartë të cilët janë arrestuar në flagrancë në Greqi dhe më pas janë gjykuar nga gjykatat greke për vjedhje, grabitje, kontrabandë dhe grup i strukturuar kriminal.
News24 ka botuar vetëm vendimet e gjykatave greke. Cfarë ka me interes publik në këtë çështje është fakti që këta persona janë promovuar në poste të larta me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, dokumente që News24 i ka bërë publike. News24, duke përmbushur standardet më të larta profesionale, në interes të publikut shqiptar, është i hapur dhe ka pritur qëndrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave mbi këto fakte e dokumente që ka publikuar. Por ai ka zgjedhur që të merret me çështje të tjera që nuk kanë lidhje me faktet dhe dokumentet që i interesojnë opinionit publik.
Sot qëndrimit të zotit gazheli i cili nuk reagonte mbi faktet dhe dokumentet e News24, i është bashkuar në një mbrojtje politike edhe kryeministri Rama duke aluduar për presion mediatik. Nuk është hera e parë që ne si media vendosemi në këtë lloj presioni nga politika, kur botojmë fakte dhe dokumente në interes të opinionit publik. Ndërsa kryeministri aludon për presion mediatik, ai nuk sqaron se përse drejtori i tij i Doganave nuk kthen përgjigje mbi faktet dhe dokumentet që në kemi publikuar. Ky është presion i drejtpërdrejtë ndaj medias për të mos publikuar fakte dhe jo e kundërta siç aludon kryeministri.
Nëse Drejtori i Doganave ka një përgjigje për vartësit e tij të promovuar në detyra të larta, në kushtet kur për ta ka vendime penale nga gjykatat greke, nuk ka nevojë për mbrojtjen politike që i bën kryeministri. News24 do të vazhdojë të botojë fakte dhe dokumente mbi evazionin dhe shkeljet në Doganat Shqiptare, ku perceptimi për korrupsion është shumë i lartë. Por ne nuk do merremi me perceptime, por me publikim të fakteve dhe dokumenteve të reja.
Të rendisësh fakte zyrtare aq më tepër nga një shtet i BE, nuk do të thotë të shpifësh dhe as të bësh presion. E kundërta është e vërtetë; të ngresh konceptin e një presioni dhe të njohësh si shpifje vërtetësinë e fakteve”, thuhet në reagimin e News24 dhe Balkanweb.
Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet!Dhe siç shihet edhe këtu,kjo nuk ndodh,po vazhdon avazi! https://t.co/0c7Rm7JdH2
— Edi Rama (@ediramaal) July 22, 2022