Polemika ne Agon Channel

Lajmi Fundit/ La Repubblica: Pse dha dorëheqjen drejtori i Agon Channel

Nga entuziazmi i ditëve të para, tek zhgënjimi total: Antonio Caprarica, vetëm dy javë nga fillimi i transmetimeve të Agon Channel, ka lënë punën në televizionin që prodhon programacion nga Tirana dhe transmeton për publikun Italian në kanalin 33 dixhital tokësor. “Dhashë dorëheqjen për një arsye të fortë – tha ish-drejtori tashmë, i lajmeve të Agon Channel Italia – për mungesë absolute strukturash dhe një personeli të pamjaftueshëm për të përballuar një edicion lajmesh. Nëse ky është televizioni i së ardhmes, nuk bën për mua. Në kontratë më premtuan një strukturë të ngjashme me standardet ndërkombëtare, ndërsa përfundova duke montuar kronikat nëpër magazina, me një redaksi prej 9 personash qe duhet të realizonin gjithë edicionet, dy orë programacion në mëngjes dhe një orë të plotë në darkë. Më shumë se televizioni i së ardhmes, Agon Channel është televizioni i riciklimit”. – ka thënë në një intervistë publikuar sot, në të përditshmen prestigjoze italiane “La Repubblica”, ish korrespondenti historik i RAI-it. 

 

Caprarica ka dhënë dorëheqjen kështu në mënyrë të menjëherëshme nga posti i drejtorit të lajmeve në Agon Channel Italia.

“Bëra të pamundurën – thotë gazetari italian – për të nxjerrë në transmetim edicionet e lajmeve, plot 10 të tillë në ditë. Nga program i mëngjesit “I Primi”, deri tek lajmet përmbledhëse të ditës, që transmetohen natën, të gjitha me vetëm 9 redaktorë. Asnjë prodhues, asnjë autor, asnjë sekretari redaksie të paktën. Nga një aparat telefonik për të gjithë, por vetëm një printer…” – tregon në intervistën e tij Antonio Caprarica. “Një “mrekulli” që nuk përballohej më as duke shtrydhur bashkëpuntorët siç është bërë zakon. Përballë pakënaqësive të mia, pronari Becchetti u përgjigj se “nuk beson se kush punon 12 orë në ditë, ndihet automatikisht keq”.

 

Francesco Becchetti, pronar i Agon Channel

“Shumë lodhje që shkon kot, në një programacion televiziv që ofron vetëm përsëritje, madje edhe në festën e hapjes më 25 nëntor… – siç kanë mundur të vërejë me trishtim edhe publiku i pakët i Agon Channel Italia.”

 

Stafi i Agon Channel Italia në promovimin e kanalit në Itali

“Studiot e standardeve hollivudiane, që askush s’i ka parë, me të cilat pronari i mburret kolegëve, janë vetëm një ‘karrem’ i përdorur për të tërhequr reklama. Për këtë mjaftojnë pak shëmbuj: dhomat e montazhit të lajmeve janë të vendosura nëpër kontenierë, që nuk janë të izoluar. Kur bie shi, zhurma e pikave dëgjohet në zërin që regjistrohet dhe kjo të detyron tek fqinjët e kanalit shqiptar “Agon Channel” (gjithmonë nëse është e mundur). Edicioni i lajmeve nuk ka një studio (vetëm ‘virtuale’), nuk ka as edhe një staf xhirimi dhe duhet mbyllur e regjistruar të paktën 1 orë e 15 min përpara, në mënyrë që të transportohet në Romë nga ku edhe luhet për transmetim. Shpesh, për shkak të këtyre vonesave, lajmet ezaurohen. Materialet e vetme që përdornim ishin ato të blerat nga agjencitë e lajmeve ose nga ‘youtube’.”

 

“Shumë herë ia kam bërë të qartë situatën pronarit Becchetti, por pa asnjë rezultat. Në këto kushte, dinjiteti im profesional dhe mbi të gjitha ndershmëria kundrejt publikut, më detyruan të tërheq firmën nga drejtimi i departamentit të lajmeve në Agon Channel Italia, duke respektuar imazhin tim.” – ka përfunduar deklaratën e tij për La Repubblica, gazetari Caprarica.

 

Agon Channel reagon pas akuzave të ish-drejtorit të lajmeve

 

Agon Channel italia ka reguar pas dorëheqjes së drejtorit të lajmeve Antonio Caprarica dhe është shprehur e befasuar me deklaratat e tij se lajmet montoheshin nëpër magazina e kontenierë dhe në kushte aspak normale pune.

“Hedhim poshtë me vendosmëri çdo tentativë për të denigruar projektin televiziv të editorit Francesco Becchetti. Kërkesat e drejtorit jo vetëm janë dëgjuar por edhe plotësuar. Editori e ka ftuar shpesh të punësojë kolegë për të kompletuar organikën… Përshkrimi që Caprarica u bën ambjenteve tona të punës është folkloristic për të mos thënë grotesk. Në këtë pikë sfida jonë bëhet edhe më stimuluese”, thuhet në reagimin e Agon Channel Italia.

Gazetari Caprarica deklaroi një ditë më parë në mediat italiane se e kishte dhënë dorëheqjen për mungesë absolute strukturash dhe një personeli të pamjaftueshëm për të përballuar një edicion lajmesh (deklaratat e plota në rubrikë lajme të Lapsi.al). Ai tha se në kontratë i kishin premtuar një strukturë me standarde ndërkombëtare, por në të vërtetë kishte përfunduar duke monutar kronika nëpër magazina dhe me një personel prej vetëm 9 personash. Gazetari i njohur italian u shpreh se" Më shumë se televizioni i së ardhmes, Agon Channel është televizioni i riciklimit”.

(marre nga lapsi.al)

SHKARKO APP