Polemika, procesi ndaj gazetarit Sokol Balla për një video .Flasin Carlo Bollino, Baton Haxhiu dhe Mustafa Nano

 

Nga Carlo Bollino.

Një furtunë e vërtetë po përplaset në këto orë mbi botën mediatike shqiptare pas publikimit në Kosovë të një videoje hard që tregon gazetarin e njohur Sokol Balla, drejtues prej vitesh në emisionin Top Story në Top Channel, duke bërë seks virtual përpara një web chat-i. Nga ana tjetër e telekamerës duket fytyra e një vajze, në moshë madhore, që ka regjistruar gazetarin në ato skena të sikletshme. Video ka fluturuar përmes webit dhe qarkullon prej ditësh në mijëra celularë duke u shndërruar në temën kryesore të debatit, ironisë dhe komenteve nëpër klube, zyra dhe natyrisht media.

Prej tri ditësh Sokol Balla, 41 vjeç, dy divorce të lëna pas krahëve, nuk flet me askënd, përveç se me drejtuesit e televizionit të tij, Top Channel, që ndodhen përpara një dileme: Ta lejojnë apo jo gazetarin të enjten në mbrëmje të dalë në ekran në Top Story, në të cilin për koinçidencë, ka si të ftuar kryeministrin Edi Rama.

Disa media online këmbëngulin duke shkruar se Sokol Balla është pushuar nga puna, por e vërteta – sipas burimeve të Shqiptarja.com – është pak ndryshe: Në fakt, ajo që po ndodh në këto orë është një proces dramatik mes drejtuesve të televizionit privat që shqetësohen për të mbrojtur principet morale dhe ndjeshmërinë e opinionit publik dhe  gazetarit që insiston të mbrojë të drejtën e tij ndaj privatësisë.

Top Channel duket se është i orientuar të pezullojë për ca kohë praninë në ekran  të Sokol Ballës sa të qetësohen ujërat , por pa ndërprerë kontratën e punës me një nga gazetarët më të rëndësishëm që ka. Nga ana tjetër Sokol Balla nuk duket i gatshëm të pranojë kompromise: Të ndërpresë qoftë dhe vetëm një  emision të Top Story (pa llogaritur faktin që është pikërisht dita që ka të ftuar Edi Ramën), do të thotë për të të pësonte një dënim publik nga televizioni i vet dhe një prishje përfundimtare të marrëdhënies së tij të punës.

 

Ndërsa procesi mes këtyre dy pozicioneve zhvillohet në zyrat e mbyllura të Top Channel, nëpër kafene dhe në social media zhvillohet në mënyrë paralele një “gjyq”  i ngjashëm: Sokol Balla është fajtor apo jo për këtë që ka ndodhur? Opinionet në këtë pikë duken se konkordojnë duke e konsideruar atë video të sikletshme për protagonistin, por padyshim pa përmbajtje kriminale apo të paligjshme.

Sokol Balla është tashmë një burrë i pamartuar, që ndodhej në një dhomë hoteli, ku po bënte lojra erotike private para një kompjuteri:  Cili është faji i kryer, veç mënyrës pak të vetmuar dhe të çuditshme për t’u kënaqur? Nëse ka një shkelje ligjore, është nga ana e kujt ka regjistruar ato pamje dhe mbi të gjitha, nga ana e kujt i ka shpërndarë në web duke shkelur në mënyrë flagrante ligjet për privatësinë dhe për botim  video private, që të prezantuara në publik shndërrohen në pornografike.

Sokol Balla është vetëm një gazetar dhe jo një politikan i zgjedhur që duhet t’i japë llogari opinionit publik edhe për jetën e tij private; pra, parë nga ky këndvështrim ai është viktimë e një kurthi (apo komploti?) që nuk ja njohim origjinën.

Nëse ajo vajzë që e ka regjistruar Ballën pa dijeninë e tij e ka bërë për hakmarrje, ose vetëm për xhelozi, është një çështje që nuk i përket opinionit publik, por ndoshta prokurorisë. Ky mund të jetë një rast i mirë për qeverinë dhe parlamentin të merret më në fund me rregullat për shtypin që duke filluar nga origjina e financimeve deri te kriteret për t’u respektuar në materialet që mund të botohen, kërkojnë më shumë përkushtim. Një video të tillë për shembull asnjë media në një vend europian nuk do të mundte ta botonte.

Po atëhere nëse Sokol Balla është viktimë, nuk merret vesh përse Top Channel duhet ta penalizojë më tej?!

Nga ana tjetër, nëse duam të analizojmë atë që ka ndodhur nga pikëvështrimi etiko-moral, gjykimi është akoma më shumë kompleks sepse rrezikon të jetë një gjykim i kushtëzuar nga një dozë e lartë hipokrizie. Aq më tëper në një vend në të cilin politika,  përpara se gazetarët, është fajtore çdo ditë për shkelje etike dhe morale akoma më të dënueshme, por që në fakt nuk dënohen nga askush.

Për të kuptuar se si do të përfundojë procesi ndaj Sokol Ballës duhet pritur akoma disa orë ku mund  të zbulojmë nëse do të dalë në ekran te Topi apo jo. Një vendim i rëndësishëm rreth të cilit po fërkojnë duart konkurrentët që duke filluar nga Tv Klan, duken të gatshëm për të pritur me krahë hapur gazetarin mëkatar.

 

Nga Baton Haxhiu

Rasti i Sokol Ballës. Pse po rrezikon të gabojë Top Channel?

Sikur Sokol Balla të ishte adoleshent, videoja e tij e shpërndarë në internet dhe që mund të sjelle largimin e gazetarit nga emisioni “Top Story” do të quhej thjeshtë një kalamanllëk.

Por, kur je i rritur, e sidomos kur je person publik, mbase duhet të jesh jashtëzakonisht i kujdesshëm, duke e pasur parasysh se abuzuesit dhe dashakëqijtë në faqet e internetit janë të pafytyrë dhe të pandjeshëm ndaj kënaqësisë së perversitetit në doza të kuptueshme të një mashkulli, apo femre, në një ambient të mbyllur, privat dhe intim.

Në rastin e Sokol Ballës, spiunët fituan në raport me jetën normale duke e publikuar mënyrën private të kënaqësisë së njeriut, e cila kur del në publik shndërrohet në mëkat dhe herezi.

Për një çast epshor, në sferën publike shndërrohesh në monstër dhe bota jote në të cilën ke investuar me dekada fundoset prej hipokrizisë publike.

Nuk e di ku e ka fillin moralizimi i seksit dhe masturbimit në publik, por meqë fjalët që i përdora ekzistojnë në çdo leksik zyrtar dhe diskurs botëror, atëherë është i papranueshëm dënimi i ashpër dhe i menjëhershëm nga cilado instancë. 

Më kujtohet gjithë ai perversitet shkronjash që ishte shigjetuar ndaj Inis Gjonit dikur, në një moment intimiteti me të dashurin e saj.

Para disa vitesh edhe ndaj Edi Ramës u çuan peshë shumë akuzues – që tash janë përkrahës të tij – duke e fyer dhe sulmuar për disa fotografi të kënaqësisë lakuriqe në plazh.

Pse ka një akuzë morale për një gjest “të pamoralshëm”, që bëhet me pajtueshmërinë e të dyja palëve dhe zhvillohet brenda mureve të privatësisë?

Për habi, gjuha dhe qasja në publik ndryshon krejtësisht kur po i njëjti veprim i kënaqësisë emocionale transformohet në një akt tjetër duke u bërë akuzë publike – ku abuzimi është fjala më e vogël.

Personalisht, nuk dua të merrem me moralizimet e pamoralshme sepse, siç ka teoretizuar edhe Sigmund Frojdi, pak a shumë të gjithë kemi doza perversiteti dhe shfaqja e tyre varet nga faktorë të ndryshëm subjektivë dhe objektivë.

Fërkimet e të gjitha llojeve me të cilat ballafaqohet një personazh publik e bëjnë atë të jetë shënjestër e shumë njerëzve. Lufta e të gjithëve, qoftë edhe me heshtje, kundër një njeriu publik në një moment pakujdesie të tij, bëhet e vrazhdë, e fuqishme për ta rrënuar, duke e lënë në vetmi, në pakujdesje dhe në rrënim total të personalitetit. Pse ndodh ky abuzim i moralitetit në publik mbi “të pamoralshmen” emocionale brenda mureve?

Imazhi i parë: Pse një perversitet që është brenda kornizave të zakonshmërisë njerëzore, sapo del në publik, në ëeb faqe apo në media, bën që ai ta marrë trajtën e një çmendurie? Dhe, pastaj, menjëherë vjen një heshtje e të gjithëve ndaj një “perversiteti”, të cilin shumë prej tyre e kanë imagjinuar apo realizuar. 

Ky gjest dhe kjo situatë është e shfajësuar nga të gjithë kur bëhet nga një i panjohur, në çdo kohë, në secilën hapësirë të mbyllur, por fajësohet porsa del në sipërfaqe një emër i përveçëm publik, si Sokol Balla në këtë rast.

Imazhi i dytë: Një mbledhje e bordit të Top Channel, në plan të parë ka të bëjë me një vendim përjashtimi për një veprim personal të një gazetari. Të një kolegu gazetar, të cilit i është keqpërdoruar besimi nga një femër dhe i është publikuar në internet një moment perversiteti.

Nga kush kanë frikë të gjithë ata anëtarë të Bordit të Top Channel që kanë marrë një vendim përjashtimi për këtë video?! Ata akuzues hipokritë, që mbase çdo mbrëmje e bëjnë të njëjtin veprim? Apo ndoshta bordistët kanë frikë nga hipokrizia e tyre?

A mund të më thonë se një veprim i Sokol Ballës, i pakujdesshëm, mund të gjykohet aq ashpër duke i mohuar të gjitha ato që ai ka bërë në jetën profesionale për zhvillimin dhe ndikimin e madh të Top Channel?

Sokol Balla ka mundur të dënohet për disa pakujdesi te tjera profesionale, që ngjajnë me spiunimet e padinjitetshme dhe të pakujdesshme profesionale, sikur këto të internetit, por jo për atë gjest intimiteti. Sepse, po e përsëris: jam i sigurt se të gjithë ata bordistë që e kanë marrë vendimin për përjashtimin e tij, në jetët e tyre kanë bërë veprime të ngjashme me qindra herë.

Pse Sokol Balla duhet të jetë viktimë e një spiunimi dhe pabesie? Pse duhet të jenë spiunët fitues mbi një dëshirë emocionale të njeriut që e ka të drejtën e plotë të ndjehet si t’ia dojë qejfi brenda shtëpisë së tij?

Imazhi i tretë:  Të gjithë ata që e morën vendimin për përjashtim, por edhe ata që heshtin duke mos e mbrojtur Ballën nga abuzuesit spiunë, mund të kenë momente perversiteti më të dallueshme dhe më të rënda, ndoshta edhe diku të filmuara, por janë duke harruar se një ditë të gjithë mund të jenë viktima të së njëjtës hipokrizi moraliste që na vjen nga mediokriteti.

Abuzimi emocional që i bëhet Sokol Ballës është një formë e abuzimit ku kryerësi përdor frikë, poshtërim apo sulm verbal për ta minuar respektin e viktimës.

Shumë njerëz mendojnë se në qoftë se ata nuk janë duke u abuzuar fizikisht, ata as nuk po abuzohen. Kjo nuk është e vërtetë.

Abuzimi emocional që ka bërë bordi i Top Channel është jashtëzakonisht i vështirë për t’u gjykuar për shkak se kjo është gjendje delikate. Abuzimi emocional nuk lë gjendje fizike. Shkatërron!

Abuzimi emocional me kalimin e kohës shkatërron një person – shkatërron vetërespektin, besimin dhe gjykimin e tij.

Ky vendim i Bordit të Topit mund të shkaktojë një viktimë në plotëkuptim të fjalës.

Ashtu si format e tjera të abuzimit, abuzuesit emocionalë përpiqen që ta mbizotërojnë personin tjetër – me pushtetin e spiunimit brutal. Një abuzues emocional, lufton me ndjenjat e pafuqisë së tij – pra, të Sokolit.

Duke ditur se çfarë mendojnë ata që e dënojnë Sokol Ballën, po i them Bordit të Top Channel se pse duhet t’i refuzojnë spiunët dhe ata që abuzojnë me privatësinë:

1. Ju në këtë mënyrë mund të ndihmoni në parandalimin e abuzimeve në të ardhmen.

2. Duhet ta vrisni frikën që na kanoset nga ky hipokrizim moral, i cili bën që shumë njerëz shpesh të ndjehen të frikësuar nga partnerët dhe kolegët.

3. Ju me këtë përjashtim do ta ndërtoni një shënjestërduke shmangur tema të caktuara nga frika.

4. Ju me përjashtim krijoni një besim abuzues te spiunët, se të gjithë ne që bëjmë jetë publike meritojmë për t’u keqtrajtuar.

5. Ju pyes: a mos jeni të çmendur të vendosni këso kriteresh të pamoralshme për abuzuesit?

Si është e mundur se çdo natë në transmetimin e Big Brother publikisht të lejoni shfaqjen e skenave “abuzuese”, epshore, kurse për Sokol Ballën ndjeheni emocionalisht të mpirë dhe të pafuqishëm? Ju po e poshtëroni idenë e lirisë dhe të privatësisë, si dhe po e shpërbleni spiunimin dhe pabesinë.

Ju pyes: çfarë do të bëni nëse ju do të jeni viktimat e radhës të abuzimit me intimitetin tuaj

 

 

Nga Mustafa Nano

Rasti "Balla" dhe skota e frikshme e namusqarëve

 

Kam ca kohë që nuk shkruaj në gazetë, ngaqë kam diçka tjetër në duar. Por nuk mund të rri pa thënë diçka lidhur me ngjarjen e ditës. Ka një përpjekje për t'i bërë një linçim moral Sokol Ballës për faktin që dikush ka publikuar online do video intime të tij. Përsëris: janë video intime. Nuk po vijoj me përshkrimin e mëtejshëm, pasi nuk do të kish kuptim. Intimiteti i gjithsecilit, nëse do të nxirrej në publik, do të rezultonte "i turpshëm". Vetëm ndonjë cliché e mërzitshme humane mund të pretendojë, apo mund të mburret për të kundërtën. Me fjalë të tjera, cilido, të cilit do t'i nxirreshin në shesh gjeste të bëra në marrëdhënie intime me të tjerë, do të rezultonte "qesharak" e do të bëhej "gazi i botës". Prandaj, mua m'i sjellin zorrët te goja ata që këto ditë dëgjohen të thonë se skena e filmuar me personazh Kolin ishte"e turpshme, e pështirë, apo ku di unë". Gjestet që vihen re në atë skenë nuk kanë nevojë për asnjë lloj kualifikimi. Janë gjeste të një situate intime. Kaq. Të turpshëm e të pështirë janë ata që nxitojnë ta kryqëzojnë Sokol Ballën për "bëma" që askujt nuk i hyjnë në qese. E nuk kanë pse t'i hyjnë. Mjaft më me këtë gatishmëri namusqare për t'i dënuar personazhet publikë për gjëra që ata i bëjnë në jetën private! Sokol Balla nuk ka abuzuar me interesin publik, me paratë publike, me postin zyrtar. Nuk ka abuzuar as me përgjegjësinë si drejtues i një programi të rëndësishëm TV, e as me normat deontologjike të profesionit të tij. Kjo që ka ndodhur nuk është një pisllik i Sokol Ballës. Kjo është pisllik, madje poshtërsi e ndyrësi e tjetërkujt, është ndyrësi e atyre që këtë video e kanë filmuar, për ta bërë publike.

 

Kol Balla nuk bën pjesë te miqtë e mij. Është thjesht një koleg i imi, me të cilin punët më kanë lidhur më shumë se njëherë. E kërkova Kolin dje në telefon, megjithatë. E kërkova për t'iu ndodhur pranë. Por nuk ma hapi telefonin. Me siguri, është duke jetuar orë të vështira nën këtë agresion të gardianëve shqiptarë të moralit publik. Kushdo do të ish në të njëjtin hall në vend të tij. E të mos ngutet ndokush të thotë se "unë nuk mund të isha në vend të Kol Ballës, pasi unë nuk do bëja gjëra të tilla të turpshme". Bullshit! Këtu thelbi i ngjarjes nuk është natyra "tepër lapërdhare" e gjestit të Ballës para kamerave të fshehta të dikujt (një nga ndërhyrjet më fantastike në Jezu Krishtit në Ungjijtë e Dhjatës së Re është momenti kur u drejtohet pjesëtarëve të një turme të gatshme për të linçuar e lapiduar një grua që kish menduar për kënaqësinë e mishit të saj: Ta ngrejë gurin kundër saj kushdo që është i pamëkat!). Këtu thelbi i ngjarjes është që një person po kryqëzohet për jetën e tij intime, që atij i është filmuar me dëshirën e tij, por që i është publikuar pa dijeninë e tij. Dhe kjo, pwrswris, është e vetmja poshtërsi në këtë mes.

 

Sikur Koli të më ishte përgjigjur në telefon, do t'i thoja: "Dil në publik! Mos rri në shtëpi! Dil e thuaj: 'Hej miq, të gjitha mund t'i bëjë kabull. Mund të bëj kabull edhe që ju të më cilësoni si t'ju vijë për mbarë bazuar në atë që keni parë e bazuar nw moralin tuaj, por problemi nuk është ky. Problemi është publikimi online i momenteve nga jeta ime intime. Doni ta cilësoni të shthurur, perverse, lapërdhare, etj, etj, këtë jetë timen? Ok, bëjeni. Po dijeni se jeta juaj "namuzqare dhe e moralshme" është njësoj e kërcënuar, nëse intimiteti juaj del në treg. Dhe është e sigurtë se, qysh nga momenti që intimiteti juaj del në treg, edhe pse ju mund të mendoni se keni një intimitet normal (intimitet normal! Çfarë fraze oksimoronike!), ju do të bëheni objekt përbuzjeje e gallate nga ana e atyre që po më linçojnë mua tani. Ju ftoj që të bëhemi bashkë për të ngritur zërin në mbrojtje të privatësisë. Nëse jeni duke fërkuar duart, nëse jeni duke thënë se "mirë e gjeti atë kodosh", dijeni se e njëjat gjë do t'ju gjejë juve nesër."

SHKARKO APP