Polici plagoset në një aksion antidrogë në Vlorë, katër në pranga

Një polic mbeti i plagosur pas një shkëmbimi zjarri gjatë mbrëmjes së djeshme në qytetin e Vlorës. Policia po zhvillonte një operacion antidrogë në qytetin bregdetar dhe mësohet se ka ndërhyrë në momentin që po shkëmbehej drogë mes dy grupeve trafikantësh . Por këta të fundit janë përgjigjur me armë duke mos iu bindur urdhrit, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë. Për pasojë një polic u plagos në dorë, por pa rrezik për jetën. Më pas grupet e trafikantëve të drogës braktisën makinat e tyre dhe u larguan. Por brenda pak minutave uniformat blu arrestuan 4 autorët e ngjarjes: Eraldo Metushi, Erjon Cela, Gjergji Dervishi dhe Edison Begaj. Policia njoftoi se janë identifikuar dhe po vazhdojnë kërkimet edhe për tre persona të tjerë, të përfshirë në këtë ngjarje. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi edhe tre mjete të  tyre, një furgon, një "Xhip" dhe një "Renault". Në një nga automjetet  u gjet edhe 50 kg drogë. Hetimet mbi këtë ngjarje vazhdojnë. 

SHKARKO APP