Policia angleze: Na ndihmoni të identifikojmë shqiptarin e rrëmbyer

 

Një njeri është rrëmbyer në datë 12 prill dhe është futur me forcë në një makinë Vauxhall Astra në qytetin Brighton të Britanisë së Madhe, ngjarje për të cilën policia vendëse bën thirrje për ndihmë për komunitetin shqiptar.

Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në gjuhën shqipe, policia angleze bën të ditur se të dhëna rethanore i kanë shtyrë të besojnë se i rrëmbyeri është një shqiptar, fati i të cilit nuk nuk dihet.

“Deri tani policia nuk ka patur mundësi të identifikojë personin që është sulmuar/goditur dhe momentalisht po përpiqen ta identifikojnë atë. Nga informatat e mbledhura deri tani, sugjerohet se ky person është shqiptar,” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, kryeinspektori i policisë Mark preston tha: “Kemi nevojë urgjente për ndihmën e shqiptarëve për të gjetur personin që është rrëmbyer. Kemi shpallur ngjarjen e kapur nga kamerat e sigurisë.”

Policia bën të ditur se ka intervistuar dy persona nga Shqipëria dhe se beson se viktima është shqiptar. Ajo bëri thirrje te media shqiptare për të publikuar lajmin me shpresë se familjarët e viktimës do të mund ta identifikojnë atë.

Personat që mund të kenë informacion janë të ftuar të njoftojnë policinë, njoftim që mund ta bëjnë edhe në mënyrë private dhe të paidentifikueshme. Çdokush që beson se di identitetin e personit që shfaqet në video duhet të telefonojë në numrin 0800555111 ose të dërgojë email në adresën: 101@sussex.pnn.police.uk. 

SHKARKO APP