Policia dhe ARRSH forcojnë bashkëpunimin, nis monitorimi inteligjent i trafikut në Shqipëri

Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë intensifikuar bashkëpunimin institucional përmes një sistemi të ri monitorimi inteligjent të trafikut rrugor në mbarë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe përdorimi më efikas i kamerave, radarëve dhe pajisjeve inteligjente që monitorojnë qarkullimin rrugor.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas planit të ri, pamjet e siguruara nga këto sisteme do të përdoren jo vetëm nga Policia Rrugore për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit, por edhe nga struktura të tjera të Policia e Shtetit për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë takimit, Hita theksoi se përdorimi i teknologjisë bashkëkohore dhe minimizimi i kontaktit të drejtpërdrejtë mes policisë dhe qytetarëve në rrugë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e sigurisë dhe në përmirësimin e imazhit të policisë.

Nga ana e tij, drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar se koordinimi i përbashkët do të rrisë standardet e monitorimit të trafikut dhe sigurinë në akset rrugore.

Në përfundim të takimit, palët u dakordësuan për finalizimin e sistemit të shkëmbimit të pamjeve dhe kalibrimin e radarëve në rrugë dhe tunele, me qëllim që të dhënat të përdoren për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve administrative në mënyrë më efikase.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?