Policia e Shtetit ka evidentuar këtë të hënë një mesazh elektronik kërcënues, të dërguar në disa adresa institucionesh, ku bëhet fjalë për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, nga verifikimet paraprake rezulton se email-i është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Autoritetet bëjnë me dije se mënyra e dërgimit të mesazhit paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Deklarata e plotë
Policia e Shtetit informon se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik (email), i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.
