Policia e Shtetit: Garantojmë mbarëvajtjen e mitingut të PD

Policia e Shtetit, njoftoi sot se ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin.

Sipas Policisë së Shtetit, përmes këtyre masave synohet parandalimi i çdo paligjshmërie dhe garantimi i plotë i të drejtës për të protestuar paqësisht.

Në kuadër të këtyre masave, si dhe në vlerësim të informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sikurse është bërë me dijeni dje , strukturat policore po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore, me qëllim identifikimin e kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë protestës, theksojnë burime nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, Policia nënvizon se, prej orës 09:30 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset e bëra publike më parë. Policia e Shtetit sqaron edhe një herë opinionin publik se nga strukturat e policisë së Shtetit nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë drejt Tiranës.

Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në këtë tubim dhe organizatorët që të tregojnë kujdes, për shkak të informacioneve që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës. Gjithashtu Policia e Shtetit, shprehet se është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

SHKARKO APP