FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Policia e Tiranës: 1436 vepra penale në maj, u zbuluan autorët në 92.6% të rasteve

Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, Oliger Torba, gjatë një konference për shtyp pasqyroi rezultatet e punës së policisë gjatë muajit maj.

Torba bëri me dije se gjatë muajit maj janë evidentuar 1436 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 1331, ose 92.6%.

Sipas tij, për këto vepra penale janë identifikuar 1376 autorë të dyshuar, nga të cilët 247 janë vënë në pranga (arrestuar ose ndaluar), 1055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fjala e plotë e drejtorit të Tiranës: 

Swiss Digital Mobile Reklama

Në zbatim të mënyrës së re të komunikimit, një mënyrë më e përgjegjshme dhe më e strukturuar, duke siguruar një komunikim më transparent, më të drejtpërdrejtë dhe më të shpeshtë me mediat dhe qytetarët, jam sot këtu së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, me qëllim që të informojmë publikun mbi rezultatet e punës sonë, masat që kemi ndërmarrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat me të cilat përballemi në përmbushjen e misionit tonë.
Prioritetet kryesore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kryesisht gjatë muajit maj, por edhe dy javëve të para të këtij muaji, kanë qenë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, siguria në shkolla, siguria rrugore, lufta kundër shpërndarjes dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, evidentimi dhe goditja e krimeve mjedisore, parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike në terrene të hapura dhe në ambiente të mbyllura me anë të llambave, trajtimi në kohë dhe me profesionalizëm i shqetësimeve të qytetarëve, i rasteve të dhunës në familje, reagimi i shpejtë, profesional dhe i paanshëm ndaj çdo ngjarjeje që cenon rendin dhe sigurinë publike, si dhe garantimi i rendit dhe sigurisë përgjatë aktiviteteve kulturore, sportive dhe tubimeve.
Synimi ynë ka qenë dhe mbetet ofrimi i një shërbimi dinjitoz për qytetarët, përmes performancës, komunikimit dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Gjithashtu, dua të theksoj se në përmbushje të detyrave tona, një rol të rëndësishëm kanë marrëdhëniet me Prokurorinë e Tiranës në drejtim të bashkëpunimit, koordinimit dhe drejtimit të veprimeve hetimore dhe operacionale, si dhe me qytetarët, të cilët me denoncimet e tyre kanë ndikuar në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë muajit maj janë evidentuar 1436 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 1331, ose 92.6%.
Për këto vepra penale janë identifikuar 1376 autorë të dyshuar, nga të cilët 247 janë vënë në pranga (arrestuar ose ndaluar), 1055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim.
Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, goditjes së lojërave të fatit, call-centerave, prostitucionit, krimeve ndaj personit dhe pronës etj.
Ndër operacionet më të rëndësishme mund të përmendim 4 fazat e operacionit “Zonat”, për goditjen e shpërndarjes së drogave në afërsi të shkollave dhe në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë këtyre fazave dhe disa goditjeve të rasteve të tjera në këtë fushë janë sekuestruar mbi 2.7 kilogramë kokainë dhe heroinë, shuma të konsiderueshme parash, si dhe sende e prova të tjera që lidhen me veprimtari kriminale.
Operacionin “Rrjeti” dhe disa goditje të tjera, ku janë sekuestruar 17 armë zjarri dhe municion luftarak, 6 granata defensive dhe rreth 1 kilogram lëndë plasëse.
Operacionin “Hold On”, për zbulimin dhe goditjen e një ambienti të përshtatur si call-center.
Operacionin “Wrong Transaction”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan 11 masa sigurie ndaj 11 punonjësve të një banke të nivelit të dytë, të cilët dyshohet se, përmes falsifikimeve dhe ndërhyrjeve kompjuterike, kanë përvetësuar 309.740 euro dhe 92.000 dollarë nga dy klientë.
Janë kapur gjatë operacioneve, por edhe punës së përditshme, 46 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 6 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kundër pronës dhe personit, si dhe trafiqeve të paligjshme.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 205 raste dhe janë zbardhur 169 prej tyre ose 82%. Për këto raste janë evidentuar 196 autorë, nga të cilët janë vënë në pranga 57, janë proceduar penalisht 101 dhe 38 janë shpallur në kërkim.
Janë zhvilluar dhe finalizuar 8 operacione për goditjen e lojërave të fatit, ku janë arrestuar e proceduar 26 autorë dhe janë sekuestruar makineta dhe kompjuterë për zhvillimin e lojërave të fatit, tavolina pokeri dhe shuma parash.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, gjatë muajit maj 2026 ka finalizuar një operacion të rëndësishëm të koduar “Falsifikatorët”, ku u zbuluan dy baza të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si patenta, karta identiteti dhe pasaporta biometrike dhe u vunë në pranga 4 shtetas. Falsifikimet e dokumenteve varionin nga 80 mijë lekë të vjetra deri në 1 milion e 800 mijë lekë për pasaporta biometrike, të cilat porositeshin nga qytetarë nga Kosova për t’u përdorur në vendet e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 168 raste me 197 autorë, nga të cilët 36 janë arrestuar, 151 janë proceduar dhe 10 janë shpallur në kërkim.
Në drejtim të goditjes së prostitucionit janë finalizuar dy operacione të koduara “Flats” dhe “Foleja”, ku janë arrestuar 5 shtetase të huaja.
Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas.
Janë evidentuar dhe goditur 3 raste të mashtrimit për të përfituar shuma parash, duke u prezantuar si zyrtarë apo të afërm të personave që mashtroheshin, për t’u marrë shuma të konsiderueshme në euro.
Për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore janë goditur 123 raste, janë evidentuar 143 autorë, nga të cilët 10 janë arrestuar, 127 janë proceduar dhe 6 janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të bimëve narkotike janë sekuestruar 3.000 fara kanabisi, si dhe janë asgjësuar 1415 bimë dhe fidanë të dyshuar kanabisi.
Gjatë muajit maj dhe dy javëve të para të muajit qershor janë trajtuar në total 2156 konflikte, nga të cilat 90 konflikte në familje, ndërsa 2066 për motive të ndryshme. Për të gjitha këto raste janë kryer veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre.
Dua të theksoj se, falë reagimit në kohë, punës profesionale dhe hetimore të kryer nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, u dokumentuan me prova ligjore në kohë të shpejtë 5 ngjarje të rënda kriminale, konkretisht vrasja me armë zjarri e 17-vjeçarit, vrasja në Kamëz në rrugën “Dervish Luzha” e 27-vjeçarit, rrëmbimi i 34-vjeçarit, plagosja e punonjësit të Policisë, si dhe zbardhja e vjedhjes me armë të argjendarisë në Kamëz.
Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur dhe dua t’i falënderoj edhe publikisht punonjësit e Policisë për reagimin e shpejtë e profesional ditën e djeshme, ku u kap në kohë reale autori, i cili, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri, por plastike, tentoi të vidhte në një subjekt për transferta parash në Shkozë.
Në funksion të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, në rrugët interurbane shërbimet e Policisë kanë minimizuar kontaktet me drejtuesit e automjeteve dhe mjeteve motorike, ndërsa evidentimi i shkeljeve arrihet nëpërmjet monitorimit me mjete inteligjente. Ndërsa në qendrat urbane është intensifikuar monitorimi, duke qëndruar fort në drejtim të shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, mosdhënies përparësi këmbësorëve, parkimeve dyshe e treshe, në trotuare, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve, këmbësorëve dhe, më keq akoma, të automjeteve të emergjencës, të cilat duhet të mbërrijnë në kohë reale aty ku nevojiten.
Tirana pothuajse është përherë në rritje të fluksit të automjeteve dhe për këtë Policia Rrugore në akset me më shumë ngarkesë ndërhyn për të lehtësuar lëvizjen.
Gjatë kësaj periudhe Policia Rrugore e Tiranës ka evidentuar 6.214 raste shkeljesh që cenojnë sigurinë rrugore, ose 1895 raste më shumë krahasuar me muajin e kaluar.
Pavarësisht punës voluminoze, analizave të riskut dhe intensifikimit të monitorimeve, kanë ndodhur 53 aksidente rrugore, nga të cilat fatkeqësisht 3 me pasojë humbjen e jetës së 3 shtetasve.
Por, krahas rezultateve, problematikat kryesore gjatë kësaj periudhe kanë qenë siguria rrugore, konfliktet ndërmjet shtetasve për motive të ndryshme, rastet e dhunës në familje, si dhe kultivimi i bimëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut.
Për adresimin e këtyre problematikave, shërbimet e Policisë kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje.
Së fundi, vijon të mbetet sfidë lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë arsye, kontrollet në terren, monitorimi me dronë dhe veprimet hetimore janë intensifikuar në të gjithë territorin e qarkut.
Në përfundim, në emër të të gjitha strukturave të Policisë së Tiranës, dua të siguroj qytetarët se mbetemi maksimalisht të angazhuar për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, si dhe për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit dhe turistët se Policia Kufitare, Policia Kriminale, Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Patrullat e Përgjithshme vijojnë të jenë 24 orë në 24 në terren, për të garantuar sigurinë në çdo zonë të qarkut dhe për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo situate që kërkon ndërhyrjen tonë.
Një apel të veçantë dua t’u drejtoj qytetarëve, operatorëve turistikë dhe çdo subjekti që ushtron aktivitet gjatë sezonit veror, që të respektojnë ligjin dhe standardet e sigurisë, pasi çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin.
Po ashtu, ftoj qytetarët dhe median të vijojnë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo situatë që cenon sigurinë publike. Ju garantoj se çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet menjëherë me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe interesit publik.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?