Policia jep detaje për vrasjen në Vlorë (FOTO)
Policia e shtetit bëri të ditur se rreth orës 21:15 është njoftuar së në një lokal në Lungomare ka pasur të shtëna me armë zjarri ku dyshohet se kishte një person të vrarë. Policia thotë se në drejtim të vendit ku u dha njoftimi kanë shkuar forca të shumta policie. Aty është konstatuar se Marjen Xhaferaj, i njohur edhe si Marjen Omeri 37 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, për pasojë ka ndërruar jetë.
Sipas policisë viktima ka qenë në lokal i ulur me një tjetër person. Në drejtim të tij është afruar një person i cili e ka qëlluar me armë zjarri. Autori është larguar më këmbë mes pallateve. Policia thotë se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe në ndihmë të Policisë së Vlorës për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH. Policia thotë se vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Sipas policisë në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se ishte e Marjen Xhaferajt. Policia thekson se viktima ka ndërruar emër e mbiemër dhe rezulton me precedent kriminal. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.



Kush ishte “Reni”, babai i tre fëmijëve i vrarë tek Lungomare
Viktima është 36-vjeçari, Renato Omeri, baba i tre fëmijëve që në Vlorë e njihnin me emrin “Reni”.
Dyshohet se vrasja ka lidhje me një ngjarje tjetër kriminale të ndodhur dy vite më parë, në afërsi të portit të Durrësit, ku ka mbetur i vdekur nipi i viktimës, që jetonte pikërisht në pallatin ku sot në mbrëmje kanë ekzekutuar “Renin”. Në vrasjen e nipit dyshohet se Renato ka qënë dëshmitar.
Mësohet se viktima kishte shkuar sot për vizitë tek motra e tij, por personat i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar.
Policia dhe FNSH-të kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të rënë në gjurmët e autorëve. Ata janë duke mbledhur ende prova në vendngjajre dhe kanë ngritur një perimetër sigurie. Nga të dhënat e para, mësohet se autorët kanë lëvizur në këmbë, dhe pasi kanë qëlluar 36-vjeçarin janë larguar në drejtim të Ujit të Ftohtë me një makinë.

