Policia: Ka prezencë bore në të gjitha akset rrugore, dy segmente vështirësi në qarkullim
Qarku i Kukësit është prekur nga situata e motit të keq, ku ka pasur reshje bore dhe temperatura të ulëta. Për këtë shkak Policia e Kukësit ka rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane dhe rurale, për të këshilluar dhe ndihmuar drejtuesit e mjeteve.
Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga bora. Në të gjitha akset rrugore ka prezencë të reshjeve të borës.
”Akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, për shkak të reshjeve të dëborës, kanë vështirësi në qarkullim”, njofton policia. Policia apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve ”të bëjnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.