Policia kujton 4 efektivët e vrarë gjatë operacionit për kapjen e Dajtit

Familjarë, miq, të afërm dhe personalitete të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar këtë paradite homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, për 4 efektivët që ranë në krye të detyrës, teksa po kryenin një operacion policor për kapjen e të kërkuarit Dritan Dajti. Zv/Ministrja Rovena Voda, e pranishme në aktivitet, në fjalën e saj theksoi se Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, u shtohen yjeve të përjetshëm të mbrojtësve me jetë të jetëve njerëzore, duke shtuar lavdinë e tyre në altarin e nderit të punonjësve të Policisë që kryejnë sakrifica sublime në emër të detyrës.

“Nderimi i tyre me titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”, është një tjetër yll lavdie që ndriçon në Flamurin e Policisë së Shtetit dhe shpreh qartësisht vlerësimin e qeverisë shqiptare për njerëzit e ligjit, por edhe vendosmërinë e saj për lartësimin e emrit të dëshmorëve të policisë si dhe ruajtjen e dinjitetit të organizatës, duke njohur sakrificat ekstreme të punonjësve të saj, siç është rasti i këtyre katër dëshmorëve”, theksoi Voda.

Nga ana tjetër, ajo tha se sot nderohen me solemnitet këta dëshmorë, punonjës të përkushtuar ndaj detyrës, të cilët fatkeqësisht humbën jetën heroikisht në përballje me krimin për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe mposhtur egërsinë e botës së krimit.  “Fatosi, Altini, Kastrioti dhe Sajmiri ishin të devotshëm, nuk kishin stepje apo ndalje në plotësimin e detyrave dhe zbatimin e urdhrave, nuk dallonin e kujt është përgjegjësia por vepronin në grup. Ata manifestuan cilësitë më të larta të një punonjësi Policie por edhe vlera njerëzore që i kishte bërë shumë të dashur me kolegët, shumë të vlerësuar nga eprorët dhe të respektuar nga qytetarët”, tha Voda.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo bëri të ditur se aktualisht janë 224 punonjës të policisë, të rënë në detyrë. “Ministri i Brendshëm, zoti Sandër Lleshaj, i vetëdijshëm për këtë fakt pikëllues, që në ditët e para kur mori detyrën, organizoi takime periodike me të gjithë familjarët e punonjësve të rënë në detyrë. Qëllimi ishte të njihej me problemet dhe shqetësimet e familjarëve të tyre, fëmijëve, bashkëshorteve, prindërve. Me qëllim lehtësimin sadopak të dhimbjes dhe përballimin e vështirësive të natyrshme të jetës së përditshme, Ministria e Brendshme ka përgatitur një paketë mbështetëse ndaj familjarëve të policëve të rënë në detyrë”, tha Voda.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zv/drejtoresha e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në fjalën e mbajtur prej saj, duke vlerësuar katër të rënët në detyrë, theksoi se emri i secilit prej tyre, është gdhendur me gërma të arta në memorien e historisë, në pjesën më të lavdishme të saj. “Sot është një ditë e veçantë, ditë dhimbjeje, krenarie dhe reflektimi, dhe ndjej se jo vetëm unë, por cilido prej jush sot, do ta kishte të vështirë për të radhitur fjalët në nderim të veprës dhe sakrificës më sublime të kolegëve Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari e Altin Dizdari”, tha Hajnaj

Sipas saj, “Fatosi, Kastrioti, Altini dhe Sajmiri 10 vite më parë, në Durrës dhanë jetën gjatë një operacioni shumë të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar. Ata ishin oficerë të ndershëm, të përkushtuar, të përgjegjshëm për detyrën, ndaj ata sot nderohen me krenari nga të gjithë. Kolegët tanë që tashmë prehen në altarin e kombit, u ndanë prej nesh nga plumbat e krimit të organizuar, dhe ende sot shpirti i tyre nuk gjen paqe deri në dhënien e drejtësisë së merituar për dorën vrastare”, vijoi ajo.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, u qëlluan për vdekje nga Dritan Dajti gjatë një aksioni për arrestimin e këtij të fundit në zonën e plazhit në Durrës 10 vite më parë. Ndaj Dajtit u zhvillua një seancë gjyqësore e tej zgjatur, teksa muajin shkurt te këtij viti Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dritan Dajtit. Ky vendim i cili uli atij 1/3 e dënimit u shoqërua me reagime të shumta, ku mazhornca ri-theksoi rëndësinë çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi dhe realizimit të sa më shpejtë të vettingut të gjyqtarëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?