Policia kundër Kokëdhimës: S’ka raport sekret për drogën në Shqipëri. Lajmi fsheh interesa personale
Policia e Shtetit reagon fort ndaj një lajmi të dhënë në gazetën e Kokëdhimës, “Shekulli”, sipas të cilës ka një raport sekret për kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, policia e shtetit sqaron se nuk ka një raport të tillë, por janë sajesa që fshehin interesa personale, politike dhe kriminale.
Po citojmë të plotë reagimin e Policisë së Shtetit:
Lidhur me lajmin e publikuar në Gazetën “Shekulli” e më pas marrë nga disa media, mbi egzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cënuar integritetin e policisë dhe punën e saj.
Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e punës së Policisë. Një raport i tillë nuk ka egzistuar kurrë e as egziston.
Ky lajm i fabrikuar mbi egzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh mbrapa interesa personale, politike dhe kriminale.
Rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë.
Nga ana tjetër, besimi i partnerëve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik.
Ky besim është maksimal, falë rezultateve të përbashkëta dhe intensitetit të punës për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit.
Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar, duke i bërë thirrje të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëmkeqinformimin e publikut.
Policia e Shtetit bën me dije se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujtdo që prodhon fabrikon dhe sajon shpifje, të cilat synojnë prishjen e imazhit të Policisë dhe të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

