Policia: Ndërhymë në 5 raste për të vendosur rendin në zgjedhje. U garantua proces i qetë

 

Policia deklaroi se përmbushi detyrat që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, duke menaxhuar me profesionalizëm dhe duke garantuar një ambient të sigurt dhe një proces të qetë zgjedhor.

Blutë konfirmuan se gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme në territorin e vendit nuk janë evidentuar ngjarje kriminale në qendrat e votimit, apo objektet e tjera zgjedhore.

Gjatë gjithë këtij procesi Policia e Shtetit, me vendim të Komisioneve të Qendrave të Votimit, ka dhënë ndihmën për rivendosjen e rregullit në 5 raste, nga të cilat në 4 raste për shkak të fluksit të krijuar nga numri i lartë i votuesve, apo për largimin e personave nga ambientet jashtë KZAZ-së, si dhe në 1 rast për largimin e një personi, që nuk ka pasur dokument të rregullt për të votuar dhe nuk largohej nga qendra.

Gjatë këtij procesi nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë.

Gjithashtu të gjitha strukturat e policisë janë në gatishmëri të plotë dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shoqërimin e materialeve të votimit drejt Vendeve të numërimit të votave.

"Janë marrë në ruajtje të gjitha Vendet e Numërimit të votave dhe KZAZ-të, shërbimet e policisë  do të garantojnë vijueshmërinë e normalitetit deri në përfundim të këtij procesi",thuhet në deklaratën e Policisë.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë mbështetësve të subjekteve politike, që të mos bëhen pengesë për vijim e rregullt të procesit zgjedhor.

SHKARKO APP