Policia në gatishmëri: Kemi informacione se në protestë do ketë njerëz të armatosur

Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi se do të marrë masat për mbarëvajtjen e mitingut të nesërm të opozitës. Zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës, Altin Qato tha se forcat e policisë do të mbajnë nën kontroll situatën dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e rrugëve. Ai tha se PD-ja vetëm sot e ka paraqitur kërkësën për marrjen e lejes së mitingut.

Por ajo që bie në sy në deklaratën e z. Qato është se në mënyrë indirekte ka konfirmuar se gjatë protestës do të ketë njerëz të armatosur.

Ai tha se “në kuadër të këtyre masave, si dhe nga vlerësimi i disa informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjensi të tjera ligjzbatuese, strukturat e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës".

Nëse analizojmë deklaratën e Drejtuesit të Policisë Qato, rezulton se policia ka informacione për persona me armë që do të jenë në protestë. Ai u referohet burimeve nga policia, por edhe nga institucionet e tjera ligjzbatuese, që do të thotë Shërbimi Inteligjent Shtetëror (SHISH). Kjo deklaratë konfirmon dhe skenarin e përfolur këto ditë se gjatë protestës së nesërme mund të ketë dhunë. Nga deklarata e z. Qato, lihet të kuptohet se institucionet kanë të dhënë për persona me precedentë penalë që do t’i bashkohen protestës. 

Deklarata e plotë e zv. Drejtorit të Policisë, Altin Qato

"Subjekti politik, Partia Demokratike, ka paraqitur sot një kërkesë për organizimin e një proteste më datë 12 Mars, ora 11:00 në qytetin e Tiranës. Bazuar në ligjin për “Tubimet”, Policia e  Shtetit do të garantojë mbarëvajtjen e tubimit për të siguruar rendin publik gjatë zhvillimit të tij.

E drejta kushtetuese për të protestuar është e garantuar, ndaj Policia e Shtetit do të marrë masat maksimale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Në këtë kontekst, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe njëherazi u kujton të gjithë qytetarëve detyrimin për të qënë të pajisur me dokument identifikimi gjatë lëvizjes së tyre si dhe për t'ia vënë në dispozicion punonjësve të Policisë së Shtetit kur të kërkohet. 

Në kuadër të këtyre masave, si dhe nga vlerësimi i disa informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjensi të tjera ligjzbatuese, strukturat e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës.

Policia e Shtetit do të marrë masa të plota me synim parandalimin e çdo paligjshmërie dhe garantimin e plotë të të drejtës për të protestuar paqësisht. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për prezencën e shtuar të kontrolleve policore në të gjitha akset rrugore dhe mjediset publike, si dhe për masat e shtuara të sigurisë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përfshirë qytetarët që do marrin pjesë në tubim. 

 

Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi".    

SHKARKO APP